Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 14:59

Tiranë – Në takimin me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin, zotin Stefano Sannino, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama rikonfirmoi angazhimin dhe vullnetin e Partisë Socialiste për të kryer reformat e kërkuara për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Njëkohësisht, Kryetari i PS shprehu shqetësimin për shkeljen e afateve për përfundimin e reformës zgjedhore dhe domosdoshmërinë për adresimin e çështjeve substanciale, si korrupsioni, ç’rrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë, mosfunksionimin e gjyqësorit, problemet me median dhe respektimin e të drejtat e njeriut.

Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit falenderoi Partinë Socialiste për kontributin e dhënë për miratimin e ligjeve me 3/5 dhe rolin konstruktiv të opozitës. Duke vënë në dukje rëndësinë e miratimit të Planit të Veprimit për 12 pikat dhe rolin e luajtur nga opozita në këtë proces, Sannino theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të tij në afatet e caktuara dhe angazhimin e Bashkimit Evropian për të monitoruar këtë proces.

Në këtë takim, zoti Sannino shoqërohej nga Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipërinë, zoti Ettore Sequi dhe Shefi i Zyrës për Shqipërinë në Komisionin Evropian, Vassilis Maragos.