Lajme Shqip Saturday, 19 October 2013 10:51

Tiranë – Kryeministri Edi Rama thekson domosdoshmërinë e një aksioni të menjëhershëm kundër trafikimit të qenieve njerëzore, duke shprehur vendosmërinë e qeverisë së tij për të angazhuar të gjitha burimet njerëzore, mjetet teknike dhe mbështetjen financiare për të arritur rezultate konkrete në këtë drejtim. 

I pranishëm në një aktivitet të organizuar në kuadër të Ditës Botërore kundër trafikimit të qenieve njerëzore, kryeministri Rama theksoi se lufta kundër trafikimit kërkon një bashkërendim të sofistikuar institucional, që siç tha ai do të bëhet i mundur përmes themelimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, që do të shërbejë si hallka lidhëse për koordinimin e organeve të rendit me ato të drejtësisë. 

“Jemi të vetëdijshëm që kjo sfidë sado komplekse dhe e vështirë është një emergjencë shoqërore, por edhe një emergjencë që lidhet me domosdoshmërinë për të mos lejuar që Shqipëria të hyjë në kutinë e zezë të vendeve që konsiderohen sot si pa shpresë. Kjo çështje kërkon një aksion të menjëhershëm, dhe të orientuar nga rezultatet.”- u shpreh kryeministri. /BW/