Lajme Shqip Saturday, 20 October 2012 17:06

Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha të shtunën se, 2013-ta do të jetë viti i ndryshimit dhe PS është forca që i duhet Shqipërisë për ta çuar përpara. Në fillim të fjalës së tij të mbajtur në Kongresin e gruas socialiste, Rama tha se, sot vendi  përshkohet nga ankthi i mbijetesës dhe kjo dëshmohet edhe në shifrat e falsifikuara të qeverisë që tregojnë se varfëria ëshë rritur.

“Janë ulur dërgesat e emigrantëve me 1/3 e tyre, është ulur fuqia blerëse e familjeve, duke çuar në rritjen e ankthit social. Ndaj është misioni ynë t’u ngremë kokën njerëve të zakonshëm të këtij vendi, të jemi forca që i duhet Shqipërisë për t’u ngritur nga balta dhe për të çuar para shoqërinë”, theksoi Rama.

Ai shprehu bindjen se 2013-ta do të jetë viti i ndryshimit, viti që do të çelë rrugën për një ‘rilindje shqiptare’ viti i punësimit real, i taksimit të ndershëm, i mbështetjes së biznesit, i shërbimeve sipas nevojës dhe jo sipas xhepit.

Kryetari i PS-së u ndal dhe në grevën e ish-të përndjekurve, për të cilën tha se “është një grevë urie për bukën e gojës”. “Thonë e nxit PS. Jo. Atë grevë e ka nxitur, organizuar dhe e mban gjallë tallja përbuzëse e Saliut ndaj të burgosurve. Ajo grevë është epilogu më i trishtuar i një kapitulli 20-vjeçar talljesh dhe  përbuzje”, tha  Rama.

Duke folur para grave socialiste kreu i PS-së u angazhua të përmirësojë politikat sociale në favor të gruas. “Nuk mund të ketë ekonomi të qëndrueshme dhe as rritje reale në familjet shqiptare nëse nuk investohet për aftësimin e grave që sot janë të papuna. Duhet të nxisim punëdhënësit për kualifikimin e tyre, si dhe të lehtësojmë sipërmarrjen e grave përmes skemave të mikrokreditimit’, tha ai.

Duke u ndalur tek fenomeni i dhunës ndaj gruas, Rama premtoi se nesër në qeverisje Partia Socialiste do të ashpërsojë masat kundër dhunës në familje. “Krimi po e rrënon Shqipërinë dhe nuk gjej fjalë të mjaftueshme, pa rënë në banalitet e retorikë të zakonshme, për tërë atë peshë të tmerrshme që ka mbi shoqërinë ky aspekt i së përditshmes sonë. Nuk kam gjetur asgjë më të vlefshme për të thënë veç asaj se ne do të jemi më të ashpër se çdo qeveri deri më sot, me krimin dhe me shkaqet e tij”, deklaroi Rama.

Ai kërkoi që Forumi i grave socialiste dhe progresiste të bëhet një lëvizje kombëtare për të stimuluar drejtësi. “Forumi i gruas të jetë avokati i drejtësisë sociale në këtë vend. Ju mund të përçoni besimin, se kjo shoqëri mund të bëhet më e drejtë, jo vetëm duke çuar PS-në në qeverisje, por dhe duke e vazhduar hap pas hapi qeverinë e PS-së. Bëjeni këtë në emër të së ardhmes, bëjeni për një shoqëri që të ngjajë sa më shumë me atë që duam dhe sa më pak me atë që kemi”, deklaroi kryetari Rama në fjalën e mbajtur para delegatëve të Kongresit të Gruas Socialiste. (LajmeShqip.com)