Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 16:30

Tiranë (PLOTËSUAR 21:20) – Kongresi i Partisë Socialiste mbylli punimet mbrëmjen e së shtunës, ndërsa 1500 delegatët e tij kanë nisur procedurat e votimit për anëtarët e Asamblesë Kombëtare. Punimet e forumit më të lartë të socialistëve nisën paraditen e sotme në Pallatin e Kongreseve rreth orës 11:30.

Pas prezantimit të programit nga 4 deputetë të PS-së, e mori fjalën kryetari i PS-së, Edi Rama dhe më pas delegatë pjesëmarrës në Kongres.

Ndërkohë, që rezultatet e votimit për anëtarët e Asamblesë Kombëtare pritet të dalin pasditen e së dielës.

Kliko këtu për të lexuar të plotë programin e ri të partisë socialiste

************************************

Tiranë (PLOTËSUAR 20:00)

Islami: Kush sulmon Ramën, etiketohet si “Pro Berishës”

Deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami, në një prononcim për mediat pasditen e së shtunës deklaroi se, “të gjithë ata që sulmojnë kryetarin e PS-së, Edi Rama etiketohen prej tij se janë hedhur në prehrin e Sali Berishës”.

Ndërsa në sallën e Pallatit të Kongreseve po zhvillohen punimet e Kongresit të socialistëve, deputeti Islami, i njohur si përfaqësues i “Lëvizjes për Mendimin Ndryshe” brenda PS-së komentoi disa momente të fjalimit të mbajtur nga kryesocialisti Rama, duke shprehur qëndrimin e tij kundër.

“Në fjalën e tij, Rama mundohet të hedhë tezën e bashkimit, por po ta lexosh pastaj krijon një farë skepticizmi dhe pesimizmi, sepse, në radhë të parë ai sot stigmatizoi një figurë shumë të nderuar të PS-së, siç është profesor Rexhep Meidani, ish-President i Republikës, një njeri me një karrierë shumë të pasur shkencore dhe profesionale”, tha Islami.

Sipas tij, në momentin që sot në PS thua një mendim që nuk i pëlqen palës tjetër, ti automatikisht  etiketohesh se “ke rënë në prehrin e Berishës”. Por, me këtë qëndrim teza e bashkimit është prekur rëndë”.

Referuar fjalimit të kreut të PS-së mbajtur sot në Kongres, deputeti Islami tha se sipas tij, në PS tani anëtarët janë ndarë në tre grupe: mbështetës të Ramës, kritikë të Ramës dhe kundërshtarë të Ramës.

Ai theksoi se nuk mund të sulmohen kaq rëndë njerëz që kanë punuar për partinë. “Njerëzit që kanë shprehur mendimin ndryshe, janë njerëz që kanë punuar për PS-në, e kanë themeluar PS-në dhe kanë qeverisur me PS-në, kemi treguar kapacitetet tona”, theksoi Rama. Islami gjithashtu vuri në dukje se, Rama lejoi të ndiqej direkt vetëm gjysma e Kongresit, kurse gjysmën tjetër e zhvilloi me dyer të mbyllura.

Malaj: Angazhimi ynë politik, ardhja e PS-së në pushtet

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, një nga përfaqësuesit e “Lëvizjes për Mendimin Ndryshe”, tha të shtunën se, angazhimi politik i socialistëve duhet të jetë ardhja e PS-së në pushtet, duke harruar bojkotin dhe duke ndërtuar një program politik e më pas elektoral, pasi nuk ka më kohë për të humbur.

Ndërsa lidhur me deklaratën e kryesocialistit Rama në Kongres se, deputetët po rendin pas interesave personale dhe po dëmtojnë partinë, Malaj tha se “liria është vlerë universale; të qenurit një shqiptar që vë përpara Kushtetutën dhe pastaj parimet për partinë, nuk më bën një socialist jo të mirë”.

************************************

Tiranë – Kryetari i PS-së, Edi Rama, theksoi sot në kongresin e kësaj partie, që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, se është koha për të shpëtuar Shqipërinë nga humnera dhe e vetmja rrugë, sipas tij, është ajo që prezanton PS në programin e ri “Rilindja Shqiptare”.
“Sot jemi të vendosur më shumë se kurrë për të bërë bashkë me ju Shqipërinë që duam, përmes një PS-je ashtu siç i duhet Shqipërisë. Me ju më pranë se asnjëherë, kudo nëpër Shqipëri, do nxisim një valë të re anëtarësimi, me gjithë shqiptarët që duan të largojnë qeverinë. T’i japim krahë Shqipërisë pa borxhe, pa frikë, pa plehra”, theksoi lideri i opozitës.
Rama u shpreh se, kjo është dita për të folur për vizionin për Shqipërinë dhe për partinë e madhe të shqiptarëve. “Atyre që më mbështesin u them se sot jam më shumë se kurrë i vendosur që ta bëjmë Shqipërinë që duam përmes një PS që i duhet Shqipërisë. Do të jemi me ju më pranë se asnjëherë, për të hapur PS kudo ku ka shqiptarë, për ta bashkuar partinë tonë me çdo shqiptar dhe shqiptare që kërkon ta heqë këtë qeveri dhe për t’i dhënë krahë, bashkë me ju ambicies për një Shqipëri pa borxhe, pa plehra dhe pa një barbarizëm social”, theksoi Rama.
Kryetari i PS-së tha se me programin e ri nis fillimi i një rruge të re për të ripërtërirë besimin se Shqipëria do të bëhet dhe mund të bëhet, dhe këtë do e bëjë PS dhe Aleanca për te Ardhmen, për t’u lënë fëmijëve një Shqipëri të lirë që është amaneti i të parëve.
Sipas tij, edhe nëse PS ka një problem, ai do të zgjidhet me përkushtimin e të gjithëve dhe pa përjashtimin e askujt, duke mos tradhtuar familjen politike.
Gjatë prezantimit të projektprogramit të kësaj force politike, Rama e vuri theksin te një sërë pikash, përmes të cilave do të synohet lehtësimi i jetesës së shqiptarëve, duke u nisur nga niveli i taksave që sot, sipas tij, zbatohen me një non-sens, ku kontribuesit më të mëdhenj janë ata që fitojnë më pak, kur ndërkohë, më shumë se 50 për qind e depozitave është pronë e vetëm 5 për qind të shqiptarëve.
Rama falënderoi edhe trojkën e ambasadorëve prezentë në Kongres, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ambasadorin e delegacionit të Komisionit Evropian, Ettore Sequi dhe kreun e OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth.
Kongresin e hapi Sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi, ndërsa deputetët e kësaj partie, Mimi Kodheli, Valentina Leskaj, Saimir Tahiri dhe Ditmir Bushati, prezantuan 4 shtyllat kryesore të programit politik të PS-së, “Rimëkëmbje e Ekonomisë”, “Ripërtëritje e shoqërisë”, “Rivendosje e demokracisë” dhe “Ribashkim me Evropën”.

 

************************************

PS mbledh kongresin, diskutohet programi dhe statuti

Tiranë – Ka nisur pak më parë Kongresi i Partisë Socialiste, ku 1500 delegatë pritet të votojnë programin e ri politik të PS si dhe ndryshimet në statutin e saj.
Delegatët do të votojnë sot për të zgjedhur edhe anëtarët e Asamblesë Kombëtare, por edhe anëtarët e Komisionit të Garancive Statutore.
Kongresin e hapi Sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi. Ndërkohë, deputetët e kësaj partie, Mimi Kodheli, Valentina Leskaj, Saimir Tahiri dhe Ditmir Bushati, do të prezantojnë 4 shtyllat kryesore të programit politik të PS-së, “Rimëkëmbje e Ekonomisë”, “Ripërtëritje e shoqërisë”, “Rivendosje e demokracisë” dhe “Ribashkim me Evropën”.
Pas këtij prezantimi pritet të marrë fjalën kryetari i PS-së, Edi Rama. Mësohet se më pas, punimet e Kongresit do të vijojnë me përshëndetjet e partive aleate, nga Internacionalja Socialiste, Partia e Socialistëve Evropianë dhe partnerë të tjerë të Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Në vijim punimet e Kongresit do të vazhdojnë me diskutimet rreth programit politik dhe ndryshimeve statutore, të cilat do të kalohen nen për nen duke marrë parasysh edhe propozimet e delegatëve.