Lajme Shqip Saturday, 26 November 2011 22:48

Prishtine – I ardhur në kryeqytetin e Kosovës pas shumë vitesh, kryesocialisti shqiptar dhe ish kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama ka bërë një deklaratë e cila pritet të ngjallë debat në Prishtinë.

Gjatë diskutimit të promovimit të librit të tij më të ri “Kurban” në Muzeun e Kosovës, i pyetur se përse kosovarët duhet ta lexojnë librin e tij që nuk flet asgjë për Kosovën, Rama është përgjigjur shkurt.

“Ky libër mund t’i shërbej Prishtinës që të marrë mësim nga puna dhe gabimet që janë bërë në Tiranë”, ka thënë Rama. Me një numër të madh të njerëzve që nuk ishte pritur se do të vinin në promovim, Rama ka dhënë edhe një arsye tjetër se përse kosovarët duhet ta lexojnë librin e tij.

“Besoj se cdo shqiptar i Kosovës ka interes të di për Tiranën ashtu sikurse cdo shqiptar i Shqipërisë ka interes të di për Prishtinën”, ka thënë Rama.
Tutje kreu socialist ka ripërsëritur qëndrimin se libri i tij “Kurban” është e vërteta e tij.

“Por kjo nuk do të thotë se libri është një histori që do ta pranojnë të gjithë. Secili nga personazhet në libër, jam i sigurt se do të shkruante të vërtetën e tij ndryshe nga unë. Prandaj unë besoj se të gjithë duhet të fillojmë të mos ndërtojmë historinë nga të vërtetat e të tjerëve por nga e vërteta jonë”, ka thënë Rama.

Ish kryebashkiaku që humbi zgjedhjet e fundit për Tiranën në kandidim me Lulzim Bashën, nesër në orën 12:00 do të jetë në kafe librarinë “Dit e Nat” për të diskutuar në lidhje me librin.

Me 28 nëntor Rama do të jetë në Prekaz. (LajmeShqip.com)