Lajme Shqip Saturday, 12 September 2015 11:02

Dënimi prej pesë vjetësh burg për ish-policin Afrim Basha nga Prizreni kishte dëshpëruar familjen e doganierit Nasi Gavazaj, që u vra në vitin 2012.

Familja Gavazaj nga Zhuri pretendon se ka pasur vendime të buta dhe shkelje gjatë procedurave penale ndaj Afrim Bashës, me qëllim që t’i bëjnë favore atij.

Kjo siç ka thënë vajza e të ndjerit Nasi Gavzaj, Emira, për faktin se bëhet fjalë për një polic të shtetit dhe për vetë imazhin e Policisë.

Fajin kryesor për shkeljet procedurale dhe vendimet e buta, Gavazaj ia vë prokurores që ka udhëhequr procedurën penale në vrasjen e babait të saj, Ervehe Gashi.

Gavazaj të martën ka deponuar në Prokurorinë Themelore në Prizren një kallëzim penal ndaj prokurores Gashi, duke renditur edhe arsyet e dyshimit të saj se ajo ka punuar në favor të policit që akuzohej nga vetë ajo, shkruan Koha Ditore.