Lajme Shqip Sunday, 26 February 2012 12:24

Prishtinë-Marrëveshja e fundit e arritur në Bruksel, me të cilën Kosova pranoi që në përfaqësimet rajonale të prezantohet me fusnotë, e cila i referohet Rezolutës 1244, duke hequr dorë kështu nga fjala “Republikë”, ka dëshpëruar bashkëvendësit e kryeministrit, Hashim Thaçi.

Qytetarët e Skënderajt dhe Drenasit, të cilët vazhdimisht e kanë mbështetur kryeministrin Thaçi, janë zhgënjyer me kompromisin e fundit të Qeverisë së Kosovës. Madje, disa prej tyre kanë thënë se më nuk do ta votojnë partinë e Thaçit. Megjithatë, ata i ngushëllon fakti se përfaqësues të shtetit amerikan kanë siguruar se marrëveshja e fundit nuk shkon në dëm të pavarësisë së Kosovës.

“Që të kthehemi në kohën e Rezolutës 1244, kurrë nuk e kisha besuar. Kjo na ka kthyer një hap mbrapa”, shprehet i dëshpëruar, profesori rreth të 60-ave, Kadri Meha, banor i Skënderajt.

Ai kujton kohën e pasluftës, bisedimet, zhvillimet politike, udhëheqjet, përfshirë periudhën kur Kosova përfaqësohej nën Rezolutën 1244, e që për të dhe bashkëvendësit e tij ishte e rëndë dhe e papranueshme.

“Edhe pas luftës, kishte luftë për t’u bërë shtet i pavarur dhe në rajon e botë të shfaqemi si ‘Republikë’. Kjo marrëveshje më ka dëshpëruar e në veçanti më ka dëshpëruar kjo qeverisje, e cila e ka pranuar atë”, u shpreh Meha. (Zëri)