Lajme Shqip Saturday, 12 September 2015 08:04

Disa produkte të prodhuara në vendet e rajonit po shiten në Kosovë me çmime më të lira se çmimi i tyre në vendin e origjinës. Shitja e produkteve nën çmimin real, në gjuhën ekonomike njihet si “çmim damping”, të cilat zakonisht bëhen për të dëmtuar prodhimin e një vendi, me përkrahjen e shtetit nga vjen produkti, shkruan sot Koha Ditore.

Edhe Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë në një hetim joformal që i ka bërë tregut ka gjetur se disa produkte janë duke shitur me çmime damping në Kosovë.

“Në bazë të hulumtimit të bërë kanë ardhur në përfundim që në treg janë disa produkte për të cilat konsiderojnë që janë të dampuara. Konkludimi është që në afatin më të shpejtë këto kompani të kontaktohen formalisht nga ana e Departamentit të Tregtisë dhe të shihet nëse ato do të bashkëpunojnë. Përndryshe do të merren masa anti-damping konform ligjit që është në fuqi”, ka thënë ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Hykmete Bajrami, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, ka kërkuar nga Qeveria që kur të ketë argumente për çmime damping të veprojë menjëherë në mbrojtjen e prodhimeve vendore e jo t’i lutë kompanitë që bëjnë shkelje të tilla.