Lajme Shqip Saturday, 21 April 2012 11:00

Tiranë -Aparaturat e reja të instaluara në Shërbimin e Okulistikës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë do t’ju vijnë në ndihmë pacientëve për retinën e syrit, kryesisht tek ata me diabet.

Aparaturat e fjalës së fundit janë donacion me një vlerë prej 35 mijë dollarësh nga “Kisha Mormone”, me seli në USA. Bëhet fjalë për një aparaturë Lazer, e cila shërben për trajtimin e retinës së syrit, kryesisht tek pacientët diabetikë.

Mjeku okulistik nga Universiteti i Jutës, i cili prej disa ditësh ndodhet në pavionin e okulistikës në QSUT, Dagllas Mer, thotë se në Shqipëri ka staf të përgatitur të kësaj disipline. “Terapia me lazer i retinopatisë diabetike parandalon verbimin e shumë diabetikëve. Nëse një i sëmurë nuk merr trajtimin e duhur brenda 5 vitesh ai verbohet”, thotë Daugllas Mer, okulist.

Shefja e shërbimit të okulistikës, Vilma Mema, tha se falë kësaj aparature të lazerit, të paktën 80 për qind e personave që do të kurohen, do të kenë mundësi shërimi. Ndërsa koha që i duhet një pacienti për t’u kuruar me lazer është e shkurtër.

“Rreth 80 për qind e pacientëve me probleme të retinopatisë diabetike në sy mund të trajtohen me sukses, dhe çelësi i parë i trajtimit është ajo e aparaturës me rreze lazër. Mungesa e saj për një periudhë të gjatë në shërbimin tonë, ka krijuar probleme, ndërkohë që tani mendohet se do të zgjidhen me efikasitet me ardhjen e kësaj aparature. Është një ndërhyrje që kërkon një kohë të shkurtër relativisht. I sëmuri kërkon dhe një ndjekje më pas”, tha Mema.

Ndërkohë që aparaturat e tjera janë ekzaminuese, një biomikroskopi dhe oftalmoskop. Me instalimin e këtyre aparaturave, pacientët do të kenë mundësi të reja trajtimi. (LajmeShqip.com)