Lajme Shqip Friday, 14 August 2015 08:07

Dosjet e planifikimit, porosisë së barnave, kërkesat për produkte jashtë listës esenciale, planet e veprimit… janë zhdukur nga zyra e ish-shefes së barnatores qendrore të QKUK-së, Enkelejda Gjonbalaj.

Një burim i ka thënë gazetës se kompjuteri i saj është i zbraztë dhe QKUK-ja nuk posedon as kopje fizike për këto dokumentacione shkruan sot Koha Ditore.

Në QKUK e kanë pranuar një “humbje” të tillë, ndërsa ish-drejtoresha nuk u është përgjigjur telefonatave.

“Sa u përket ‘dokumenteve’ të humbura në barnatoren qendrore, ju njoftojmë se bëhet fjalë për dokumentacione ekskluzivisht në zyrën e ish-shefes së BQ-së, në të cilën kanë munguar, apo kanë qenë plotësisht të zbrazëta dosje të tëra, duke përfshirë planet e veprimit-planifikimet e barnave, materialit mjekësor, planifikimet dhe kërkesat e barnave jashtë listës esenciale, kërkesat për blerje për të gjitha vitet paraprake, duke përfshirë edhe vitin 2014”, ka konfirmuar drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik të Kosovës (ShSKUK), Curr Gjocaj.

Ai nuk e ka komentuar nëse “zhdukja” e këtyre dokumenteve lidhet me hetimet që po bëhen ndaj ish-shefes Gjonbalaj.

Ajo ishte arrestuar në mesin e prillit të vitit 2014, pasi në cilësinë e drejtoreshës së farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë dyshohet se kishte larguar nga lista esenciale produktet “Ondansetron” dhe “Granisetron”, të cilat në treg kishin një vlerë prej 1.32 eurosh, duke i zëvendësuar të njëjtat produkte me një tjetër ilaç shumë më të shtrenjtë, të quajtur “Palonosteron”.

Ky ilaç ka kushtuar 77.79 euro.