Lajme Shqip Saturday, 26 November 2011 11:13

Prishtinë-Qeveria e Kosovës vazhdon me intensifikimin e reformave strukturore në rrugëtimin drejt anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian, theksohet në një komunikatë pas takimit të mbrëmshëm të Këshillit Ministror për Integrim Evropian.

“Pas publikimit të Raportit të Progresit 2011, që në të njëjtën kohë edhe është përdorur si udhërrëfyes kyç për ndërmarrjen e reformave, qeveria e Kosovës ka iniciuar një numër çështjesh të rëndësishme brenda institucioneve me qëllim të adresimit të sfidave që dalin ka ky raport”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se “Ministria e Integrimit Evropian duke filluar nga muaji janar 2012 do të ofrojë pasqyrat tremujore të përmbushjes së objektivave kyçe. Kjo do të jetë bazë e vlerësimit të punës të secilit ministër, sekretar dhe departament”.

Ai ka theksuar se “viti 2012 është vit i procesit të liberalizimit të vizave” dhe se “qeveria konsideron se janë plotësuar të gjitha parakushtet për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave, njëkohësisht mbetet e përkushtuar për zbatimin efektiv dhe në afat rekord të të gjitha kritereve pas hapjes së dialogut për liberalizimin e vizave”.

Takimi ka vazhduar me raportim nga ana e ministrave për të arriturat që janë shënuar që nga publikimi i Raportit të Progresit, për planet e tyre, si dhe për tejkalimin e sfidave që kanë përpara vetës në përmbushjen e kritereve për anëtarësim. Gjithashtu ministrat u zotuan që ky proces do të shfrytëzohet për të avancuar reformat brenda administratës dhe avancimit të mirëqenies së qytetarëve.

Bëhet e ditur se Këshilli Ministror për Integrim Evropian vazhdoi punën deri në orët e vona.