Lajme Shqip Wednesday, 28 March 2012 17:45

Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e qeverisë deklaroi se do të shtyhet afati i amnistisë fiskale deri në fund të gushtit, por vetëm për rivlerësimin e banesave nga qytetarët.

Biznesi nuk përfiton nga kjo shtyrje e afatit dhe amnistia përfundon për ata, në fund të kësaj jave.

“Ministria e Financave, vetëm për zërin banesa, të zgjasë afatin gjer me datën 31 gusht, në mënyrë që edhe emigrantët që vijnë, të kenë mundësi të legalizojnë banesat e tyre. Kjo kërkesë bëhet e domosdoshme, së pari nga fluksi i madh që është në zyrat e regjistrimit të pasurive”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha paralajmëroi edhe një qasje të re të shtetit, ndaj sëmundjes së autizmit, e cila prek ne Shqipëri 450-500 fëmijë ne vit.

“Është shumë e domosdoshme që të ngremë pranë institucioneve pediatrike, njësitë e diagnostikimit të hershëm të autizmit, të përgatisimin specialistët tanë dhe duhet të heqim dorë nga qendrat polivalente për fëmijët me probleme. Këto qendra duhet të jenë të profilizuara, duhet të ketë qendra ditore për ata që janë mbi 18 vjeç”, tha Berisha.

Kryeministri paralajmëroi edhe një lëvizje të re shtetërore që synon në angazhimin vullnetar të qytetarëve për pastrimin e mjedisit. “Pushteti vendor të mbështesë nismën e Shoqërisë Civile për mjedisin. Ligjet për mbrojtjen e mjedisit janë shumë të mira, por Shqipëria ende mbetet një vend ende larg normave qe duhen”, tha Berisha.

Shefi i qeverisë theksoi se  Ministria e Mjedisit duhet të marrë të gjitha masat të përcaktojë të gjitha zonat, hartën e ndërhyrjeve dhe administrata, shkollat, institucionet, komunitetet në mbarë vendin të angazhohen në këtë ditë për mjedisin.