Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 16:36

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha siguroi sot se “Qeveria do të bëj çdo gjë që është në dorën e saj për të garantuar suksesin e procesit të integrimit”.

Sipas zyrës së shtypit te Kryeministrisë, Kryeministri Berisha priti në një takim Zv. drejtorin e përgjithshëm të zgjerimit në BE, Stefano Sannino, të cilin e informoi mbi një seri masash të marra në kuadër të përmirësimit cilësor të procesit zgjedhor.

Në këtë drejtim, Berisha u ndal te miratimi i listave të zgjedhësve të pastruara nga duplikatat, personat më shumë se 100 vjec dhe ata që kanë lënë shtetësinë, miratimin e ligjit për financimin e partive politike, urdhërin e fundit të kryeministrit për ndalimin e përdorimit të automjeteve shtetërore dhe aseteve publike në funksion të fushatës zgjedhore etj.

Kreu i qeverisë vlerësoi angazhimin e Komisionit Evropian për të asistuar institucionet shqiptare në procesin e integrimit nëpërmjet organizimit të aktiviteteve të përbashëkta që synojnë miratimin me mbështetje sa më të gjerë të  Panit të Veprimit për zbatimin e 12 prioriteteve të përcaktuara nga KE.

Sipas Kryeministrit Berisha, diskutimet mbi procesin e integrimit kanë rëndësi të madhe dhe çdo palë ka shansin për të treguar gatishmërinë për të kontribuar në suksesin e këtij procesi.

Gjatë takimit, Berisha dënoi incidentet e ndodhura gjatë fushatës duke theksuar se nuk ekzistojnë shkaqe për tensionimin e fushatës. Ai theksoi se do të vazhdojë t’i kërkojë të gjithë aktorëve të përfshirë në procesin zgjedhor që të shmangin dhe distancohen nga çdo akt dhune dhe tensionim i fushatës zgjedhore. Kryeministri riafirmoi qëndrimin se Partia Demokratike dhe kandidatët e saj do të bëjnë një fushatë pozitive të bazuar në vlera dhe të fokusuar tek qytetari dhe komunitetet vendore pavarësisht se Edi Rama dhe Partia Socialiste e bazojnë fushatën e tyre në sulme ndaj mazhorancës dhe kandidatëve të saj dhe përpiqen t’i paraqesin zgjdhjet jo si zgjedhje administrative por me karakter politik.

Nga ana e tij, Sannino vlerësoi gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të vazhduar në mënyrë transparente dhe konstruktive diskutimet dhe bashkëpunimin me Komisionin. Ai vlerësoi si mjaft pozitiv Seminarin e zhvilluar në Tiranë  dhe u shpreh se ishte me rëndësi krijimi i një metodologjie pune për të ardhmen në funksion të përmbushjes të 12 prioriteteve. Sannino vlerësoi gjithashtu ndërveprimin ndërinstitucional të Ministrisë së Integrimit Evropian me Komisionin për Integrim të Kuvendit.

Zyrtari i lartë i BE-së theksoi gjithashtu rëndësinë e madhë që zgjedhjet vendore kanë për Shqipërinë, jo vetëm në planin e brendshëm, por dhe në atë të integrimit. Ai theksoi rëndësinë që kanë konkluzionet e raportit të ODIHR-it që do të bëhen në fund të vitit, ndërsa vuri në dukje se do të vlerësohet kontributi i secilit aktor në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Pasi mbështeti miratimin sa më të shpejtë të Planit të Veprimit, Sannino theksoi nevojën për arritjen e një metodologjie për trajtimin e përbashkët të problematikave që shtrojnë 12 prioritetet dhe rëndësinë për të ruajtur vëmendjen dhe ritmin e punës në procesin e integrimit evropian edhe pas zgjedhjeve.