Lajme Shqip Sunday, 02 December 2012 15:17

TIRANË-Shqipëria do u kërkojë instancave përkatëse ndërkombëtare të nisin hetimet ndaj ish-Prokurores së Hagës, Carla del Ponte. Kështu bëri të ditur në një njoftim për shtyp, kryeministria duke përshëndetur lirimin nga akuzat të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Qeveria e Republikës së Shqipërisë do ti kërkojë instancave përkatëse ndërkombëtare të autorizojnë dhe ndërmarrin një hetim të pavarur ndaj ish-Prokurores së TPNJ, Carla del Ponte në lidhje me pretendimet e ngritura për rolin e saj tendencioz dhe të paligjshëm në cështjen kundër ish -kryeministrit të Kosovës z. Haradinaj dhe ju kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të OKB dhe Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë të nisin menjëhëre një hetim për të nxjerrë në pah të vërtetën në lidhje me këtë çështje”.

“Qeveria e Republikës së Shqipërisë përshëndet vendimin e pafajësisë për herë të dytë të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), për ish-kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj pas një procesi hetimi prej kaq vitesh nën akuza të përsëritura nga ish-Prokurorja e Përgjithshme e TPNJ zn. Carla del Ponte”.

Sipas njoftimit për shtyp, Qeveria shqiptare bashkohet kështu plotësisht me kërkesën e autoriteteve zyrtare të Kroacisë për hetim të pavarur të prokurores Carla Del Ponte lidhur me akuzën e ngritur ndaj gjeneralit Gotovina dhe bashkëpuntoreve të tij, të cilët Gjykata e Hagës, i shpalli të pafajshem.

Më tej, qeveria shqiptare risolli në vëmendje dhe përshëndeti rishtasi qëndrimin e ish-kryeministrit Haradinaj ndaj kërkesave të TPNJ, dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit dhe paraqitjen e tij para TPNJ.

Më tej qeveria shqiptare në njoftim theksoi se “edhe opinioni publik shqiptar është tronditur thellë nga deklaratat e fundit të prokuroreve të famshem te TPNj, që kanë ngritur akuzat ndaj Slloboban Milloshevicit si dhe ndaj autorëve të Masakrës së Sebrenicës, në të cilat pohohet se akuza e ngritur ndaj ish kryeministrit Ramush Haradinajt dhe bashkëpuntorëve të tij nga Prokurorja Carla del Ponte është hartuar pa bazë të mjaftueshme provash, duke mos marre parasysh dhe anashkaluar rekomandimin e prokurorëve të cështjes kundër ngritjes së aktakuzës për mungesë provash, madje duke kërkuar edhe fshirjen e këtij rekomandimi nga regjistrat kompjuterikë të TPNJ dhe shkarkimin e tyre nga çështja”.