Lajme Shqip Monday, 04 July 2011 17:11
Lajme Shqip Monday, 04 July 2011 17:11

Prishtinë –  Për një kërkesë kaq të rëndësishme e me peshë në shoqërinë kosovare, që pret zgjidhje tash e 12 vjet, do të nxirren vetëm akte nënligjore. Qeveria e Kosovës nuk do të precizojë me ligj lartësinë e pensioneve për kategoritë e dala nga lufta, por vetëm me akte nënligjore. Në prag të procedimit të Projektligjit në Kuvendin e Kosovës, për këto kategori, është përgatitur “Shtojca 1”, që saktëson lartësinë e pensioneve.

Portali LajmeShqip.com ka siguruar një kopje të papublikuar të skemës së pensioneve, e cila do t’i bashkëngjitet Projektligjit, që pritet të aprovohet në këtë javë nga kabineti qeveritar.

Pensioni më i lartë është 534 euro, por që u takon familjeve që i kanë dhënë më shumë se 4 dëshmorë gjatë luftës. Ndërsa, 358 euro do të jetë pensioni më i lartë invalidor, që u takon ish-pjesëtarëve të UÇK-së me dëmtim trupor mbi 80 për qind. Pensioni më i ulët në këtë kategori është 180 euro.

Parashihen edhe shtesa për përkujdesje dhe ndihmë për këta invalidë, si dhe pensione familjare pas vdekjes së invalidëve të UÇK-së.

Qeveria ka paraparë edhe pensione familjare për familjet e viktimave civile, për familjet e të zhdukurve civilë, pensione për invalidët civilë, shtesa për përkujdesje dhe ndihmë për invalidët civilë, si dhe të drejtën në pensionin familjar pas vdekjes së invalidëve civilë. (LajmeShqip.com)