Lajme Shqip Tuesday, 14 February 2012 20:41

Prishtinë-Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin dhe revoltën e saj të thellë për aktin e fundit të Serbisë lidhur me organizimin dhe mbajtjen e referendumit në pjesën veriore të vendit.

Në një deklaratë për shtyp të dhënë pak më parë qeveria thekson se, “ky akt ilegal, i cili do të prodhojë një rezultat ilegal dhe të papranueshëm, në menyrë të drejtëpërdrejtë cënon sovranitetin shtetror të Republikës së Kosovës.

“Po ashtu, ky veprim ilegal i Serbisë është në kundërshtim me Kushtetutën tonë dhe të drejtën ndërkombëtare. Për me tepër, ky akt i fundit i Serbisë kundër Kosovës, dëshmon qartë ambiciet e sëmuara dhe pretendimet territoriale të Serbisë në raport me Kosovën”-thuhet në njoftim.

Qeveria e Republikës së Kosovës, i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bëj trysni tek Serbia që t’i japë fund akteve të tilla ilegale, të cilat në mënyrë të drejtëpërdrejtë cenojnë integritetin territorial të shtetit kosovar të pranuar ndërkombëtarisht.

“Akte të tilla ilegale dhe të papërgjegjshme të Serbisë nuk i shërbejnë në asnjë mënyrë avancimit të axhendës euro-atlanike dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, përfundon deklarata. (LajmeShqip.com)