Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 14:27

Prishtinë – Në kohën kur Qeveria po mblidhej në mbledhjen e paraparë për orën 14.00, zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli, po pinte kafe me bashkëpartiakët dhe me miqtë e tij në njërin nga lokalet në qendër të Prishtinës, disa dhjetëra metra larg ndërtesës së ekzekutivit.

Ai ka përshëndetur zëvendëskryeministren Mimoza Kusari-Lila, e cila është nisur për në mbledhje, por vetë ka vazhduar pa e prishur terezinë. Pacolli prej që është emëruar zëvendëskryeministër i parë nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e Qeverisë.

Pas mbledhjes së mbajtur të hënën, zëvendëskryeministri Kuçi e kishte arsyetuar mungesën e Pacollit në mbledhjen e Qeverisë, me mungesën e tij fizike, por së fundmi ai ia ka lënë tërë përgjegjësinë kryeministrit Hashim Thaçi.

Por, ai po ashtu ka mohuar që Pacolli ka dalë prej Qeverisë, për shkak se nuk i ka pasur të qarta kompetencat e tij.

Behgjet Pacolli është emëruar zëvendëskryeministër i parë, pas marrëveshjes së re të koalicionit qeveritar bashkë me LDK-në për zgjedhjen e presidentes konsensuale. Zyrtarët qeveritarë nuk shohin dualizëm të kompetencave të politikës së jashtme me këtë rast, megjithatë, vetë Pacolli ka kërkuar që të ketë qartësim të kompetencave të tij.

Ndërkohë, edhe çështja e ridizajnimit të Qeverisë pas kësaj marrëveshje të re ende ka mbetur pezull.

Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se afatet kohore për emërimin e ministrave dhe zëvendësministrave të rinj nuk varen vetëm nga njëri partner i koalicionit.

Sipas marrëveshjes së re, Aleanca për Kosovë të Re kërkon që t’i ketë edhe dy ministri të reja dhe tre zëvendësministra, mirëpo burimet qeveritare bëjnë të ditur se PDK-ja insiston që mos t’i jap më shumë se një ministri partnerit të koalicionit dhe dy zëvendësministra.