Lajme Shqip Tuesday, 28 May 2013 16:34

 

Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së parë Ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe planit të zbatimit për këtë marrëveshje u miratua sot pa ndonjë debat nga Qeveria e Kosovës.

Në mbledhjen e ekzekutivit të vendit të mbajtur të martën është miratuar me shumicë votash ky projektligj. Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se pas nënshkrimit të planit të zbatimit nga të dyja palët, është paraparë që marrëveshja të ratifikohet nga të dyja shtetet.

 “Ne jemi pajtuar që ditën e enjte kur e kemi nënshkruar planin e zbatimit të marrëveshjes, por që diçka të ratifikohet duhet të jetë e pajtueshme për të dyja palët dhe tani Serbia e ka dhënë pajtimin. Ne sot kemi menduar që ta kalojmë edhe në Qeveri këtë çështje dhe ta procedojmë menjëherë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Ndërsa zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi ka dhënë më shumë detaje rreth këtij projektligji.

Ai ka thënë se ky projektligj ratifikon marrëveshjen e parë ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, kjo marrëveshje është miratuar nga Kuvendi më 22 prill 2013 përmes rezolutës dhe plani i zbatimit që është përafruar nga dy kryeministrat dhe ky plan i zbatimit është miratuar nga Qeveria.

“Theksoj se edhe marrëveshja e parë janë pajtuar dhe miratuar nga pala tjetër. Marrëveshja e parë ndërkombëtare do ta keni në shtojcën e parë dhe planin e zbatimit që është në marrëveshje. Këto të dyja do të jenë pjesë përbërëse të këtij ligji. Ky ligj i obligon dy republikat ta zbatojnë. Jam i bindur që me miratimin e këtij dhe ratifikimin e tij hapet mënyra e qartë e zbatimit të marrëveshjes të nënshkruar më parë”, ka theksuar Kuçi.

Ndërkohë në rend të ditës ka qenë edhe Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për kufijtë administrativ të komunave, ku edhe ky projektligj me shumicë votash është miratuar.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq ka thënë se MAPL në bazë të mandatit propozon ndryshimin e projektligjit për kufijtë administrativë, për dy komunat e reja që do të formohen

Formimi i dy komunave të Hasit, normalisht që parasheh edhe implikime buxhetore.