Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 15:12

Tiranë-Qeveria ka zbardhur sot në faqen në ueb të kryeministrisë vendimin për Shtëpinë Qendrore Ushtarake Popullore (SHQUP).

Përvec godinës së SHQUP që i kalon si seli Partisë Demokratike, një vendim i ngjashëm është marrë dhe për Fierin, ku Shtëpia e Ushtarakëve i kalon për zyra Partisë Demokratike, dega Fier.

 

V E N D I M PER SHQUP
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E BRENDSHME, TË PASURISË SË PALUAJTSHME “SHTËPIA QENDRORE E USHTRISË”, ME QËLLIM PAJISJEN E SUBJEKTIT PARTIA DEMOKRATIKE E SHQIPËRISË ME NDËRTESË, PËR SELI QENDRORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 22, shkronja “b” e 22/1, të ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, “Për partitë politike”, të ndryshuar, dhe të neneve 8, pika 3, 13 e 16, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Brendshme, të pasurisë së paluajtshme, të konfirmuar nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, me emërtimin “Shtëpia Qendrore e Ushtrisë”, me numër rendor 32, përkatësisht sipas formularit që i bashkëlidhet këtij vendimi, miratuar me vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar”.

2. Prona e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.

3. Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme, brenda datës 20.8.2013, të përfundojë procedurat e marrjes në dorëzim të pronës.

4. Ministri i Brendshëm të lidhë kontratën e huapërdorjes, sipas Kodit Civil, me subjektin politik Partia Demokratike e Shqipërisë.

5. Ngarkohen ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

PER FIERIN
2-PËR DHËNIE MJEDISESH PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË, PËR ZYRA VENDORE NË FIER, TË QARKUT TË FIERIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të neneve 22 e 22/1, të ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, “Për partitë politike”, të ndryshuar, si dhe të pikës 3, të nenit 8, dhe të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kati i pestë i ndërtesës me emërtimin “Shtëpia e Ushtarakëve”, me vendndodhje në Fier, t’i jepet për mjedise Partisë Demokratike të Shqipërisë, për zyra vendore në Fier, të Qarkut të Fierit, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ministri i Brendshëm të lidhë kontratën e huapërdorjes, sipas Kodit Civil, me Partinë Demokratike të Shqipërisë, në përputhje me nenet 22,, shkronja “b”, dhe 22/1, të ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, të ndryshuar, për periudhën derisa partia politike plotëson kushtet e parashikuara në këto nene.

3. Ngarkohen ministri i Brendshëm dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

BERISHA: SHQUP PËRDOREJ PËR MORTE E DASMA, USHTARAKËT JO PROTESTA, DO JU HEQ STATUSIN
Kryeministri në detyrë, Berisha u ndal dhe tek vendimi i qeverisë për SHQUP, sot gjatë mbledhjes së kabinetit të ministrave.
Sipas Berishës, SHQUP kishte humbur funksionet prej 12 vitesh dhe shtoi e vendimi qeverisë që kjo godinë do bëhej seli e PD-së do të zbardhej sapo Presidenti ta dekretonte zyrtarisht.

“SHQUP-i të paktën për 12 vjet ka humbur çdo lloj funksioni. Vendimi nuk u zbardh se u konstatua se kishte një gabim, vendimi nuk ishte dekretuar nga Presidenti i Republikës”.

“Të jemi të sinqertë, aty kemi parë vetëm ceremoni mortore. Dmth vetëm dasma ose ceremoni mortore. Po ka një aktivitet aty, por kjo shtëpi ka humbur të gjithë funksionet dhe nuk ka asnjë lidhje me emërtimin që mban. Qeveria, duke parë që kjo shtëpi kishte humbur funksionet, ka kontraktuar një nga arkitektët më të mëdhenj të kohës dhe ju ftoj të shkoni dhe të shihni se çfarë ndërtimesh po bëhen’.

Më tej Berisha duke iu drejtuar ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami theksoi se nëse bëhen protesta nga ushtarakët lidhur me këtë vendim qeverie, atëhere çdo ushtarak do humbasë statusin që gëzon dhe deri pensionin e ushtarakut.
Berisha:Nëse dalin në protestë në shkelje të statusit një nga një do humbin statusin. U hiqet statusi dhe le ta marrin pastaj pensionin me statusin e qytetarit.
Imami: Nuk del njeri.
Berisha: Po ca ishin ata që më erdhën këtu, më thanë ka kënduar aty Vaçe Zela. Paska kënduar, mirë vemi një pllakë, që këtu ka kënduar Vaçe Zela. Kaq dhe e mbyll këtë duke i thënë z Rama se me atë ‘ciu ciun’ e djeshëm ke treguar gjithë moralin e shpëlarë që ke si njëri. /Ballkanweb/