Lajme Shqip Thursday, 20 August 2015 08:07

Qeveria i ka kërkuar Kuvendit javën e shkuar që të shfuqizojë një amendament të buxhetit shtetëror, në një procedurë krejtësisht të jashtëligjshme. Kuvendi pritet t’ia kthejë mbrapsht kërkesën, të cilën juristët e cilësojnë si skandaloze.

Jo nëpërmjet një projektligji, por nëpërmjet një vendimi të firmosur nga kryeministri Isa Mustafa, kabineti qeveritar i ka propozuar legjislativit që “të anulojë Amendamentin 10 të aprovuar në seancën plenare më 16.07.2015 në leximin e dytë të rishikimit të buxhetit për vitin 2015”, shkruan sot Koha Ditore.

Me këtë amendament janë ridestinuar një pjesë e mjeteve nga dy projekte ekzistuese në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim në 12 projekte kapitale të reja, në shumë rreth 1.5 milionë euro. Ministria e Financave, që e ka sponsorizuar vendimin e Qeverisë, ka konstatuar se ky amendament nuk mund të zbatohet për arsye të mungesë së mjeteve.

Secili ligj mund të plotësohet ose ndryshohet vetëm me një ligj të ri, të cilin Qeveria mund t’ia procedojë Kuvendit për miratim. Dhe, në rastin e amendamentit për buxhetin, Qeveria nuk ka kërkuar shfuqizimin e tij duke sponsorizuar një ligj, por vetëm nëpërmjet një vendimi.