Lajme Shqip Monday, 07 April 2014 12:12

Qeveria “Rama” i dërgon Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, një letër me porosi për të hetuar me shpejtësi zyrtarët e mesëm të dyshuar për korrupsion dhe “peshqit e mëdhenj”. “Duhet rritje e numrit të çështjeve të hetuara, sidomos i hetimeve proaktive, për raste të evidentuara në nivelet e mesme dhe të larta të administratës shtetërore, të sistemit gjyqësor dhe zyrtarëve pa imunitet”, theksohet në këtë letër. Materiali prej 12 faqesh, i miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, me rekomandime të posaçme në kuadër të marrjes së statusit në qershor, i është nisur prokurorit Llalla përmes Ministrisë së Drejtësisë.

Kjo është një përpjekje për të vënë në lëvizje sektorin hetimor, pikërisht kur Komisioni Europian kërkon shprehimisht “rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” dhe, kur mbetet një afat i ngushtë deri në diskutimin e statusit. Sipas shkresës, numri i hetimeve dhe dënimeve mbetet përgjithësisht i ulët. “Sfida afatshkurtër është që të ngrihen hetime proaktive si parakusht për vijueshmërinë e rezultateve të ndjekjes efektive penale në të gjitha nivelet, veçanërisht në ato fusha ku ekziston një perceptim i fortë publik për korrupsion”. Aty theksohet se, “Edhe organi i prokurorisë perceptohet të vuajë nga korrupsioni; nga ndikimet, influencat e të tretëve në veprimtarinë e tij”. 

Rekomadimet

 “Ministri i Drejtësisë në emër të Këshillit të Ministrave, në zbatim të nenit 54/1 të ligjit nr. 8737 datë 12.02.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, i përcjell Prokurorit të Përgjithshëm, rekomandimet që duhet të mbahen parasysh për vitin në vazhdim, në luftën kundër kriminalitetit”. Përgatitja e këtyre rekomandimeve, është mbështetur në analizën e dokumenteve strategjikë qeveritarë dhe në raportet e organizmave ndërkombëtarë (sidomos të Komisionit Evropian), që lidhen me çështjet e krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafikut të lëndëve narkotike. Gjithashtu, në përgatitjen e këtyre rekomandimeve është shfrytëzuar edhe kontributi i paraqitur nga strukturat e pushtetit ekzekutiv, të cilat kanë në përbërje të tyre personel, që me ligj i është njohur cilësia e policisë gjyqësore. Qeveria, theksohet në letër, ka  vullnet të palëkundur politik për luftimin e korrupsionit, për të çmontuar murin e paprekshmërisë e pandëshkueshmërisë. Në mbështetje të 5 prioriteteve për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, objektivat bazë për sistemin e drejtësisë përfshihen tek: 1. Forcimi i pavarësisë të institucioneve të drejtësisë; 2. Lufta kundër korrupsionit; 3. Lufta kundër krimit të organizuar; 4. Të drejtat e njeriut; 5. Bashkëpunimi ndërinstitucional.

 Influenca e të tretëve në prokurori 

Nga monitorimet që organizmat ndërkombëtar i kanë bërë gjendjes në Shqipëri, të cituara në këtë letër, evidentohet se Shqipëria duhet të rritë pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e institucioneve gjyqësore. Mungesa e llogaridhënies e Prokurorisë së Përgjithshme është shqetësuese. Procedurat për emërimin dhe shkarkimin e personelit kyç të Prokurorisë duhet të jenë transparence dhe të paanshme, ndërsa roli i Këshillit të Prokurorëve duhet të përforcohet. Problematika e hasur në organin e prokurorisë është e ngjashme me atë të pushtetit gjyqësor, për shkak të ndërlidhjes së veprimtarisë së këtyre operatorëve.

Sipas qeverisë, edhe organi i prokurorisë perceptohet të vuajë nga korrupsioni; nga ndikimet, influencat e të tretëve në veprimtarinë e tij; nga niveli jo i kënaqshëm i procedurave dhe i efektivitetit të ushtrimit të ndjekjes penale; dhe nga transparenca e ulët dhe mungesa e besimit të publikut tek ky organ. Sipas dokumentit, në procesin e realizimit të angazhimeve të qeverisë për forcimin e shtetit të së drejtës për të garantuar pavarësinë, efiçencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve, prioritet do të jetë forcimi i pavarësisë dhe integritetit të prokurorëve në procesin e hetimit, si dhe përmirësimi i efektivitetit të ushtrimit të ndjekjes penale. Për realizimin e këtij prioriteti Këshilli i Ministrave i rekomandon Prokurorit të Përgjithshëm: “I) Zbatimin e kuadrit të ri ligjor; II) Forcimin e autonomisë së prokurorisë në hetimin paraprak; III) Rritjen e hetimeve pro aktive; IV) Rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, si një premisë bazë për suksesin e veprimtarisë së organit të prokurorisë. V) Forcimin e kompetencave dhe të transparencës së Këshillit të Prokurorisë, në raport me emërimin, promovimin, transferimin dhe procedimin disiplinor të prokurorëve”.   

Të forcohen njësitë “Task Force”  

Problematikat e paraqitura nga ministritë e linjës që kanë në kompetencë forca policore që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore, evidentojnë edhe më dukshëm nevojën e rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional. Në këtë kuadër Këshilli i Ministrave i rekomandon Prokurorit të Përgjithshëm: a) Marrjen e iniciativave të përbashkëta për edukimin e shoqërisë; b) Konsolidimi i Njësive të Përbashkëta Hetimore (Task Force) për ushtrimin e ndjekjes penale në fushën e korrupsionit, krimit ekonomik, pastrimit të parave dhe krimit kibernetik; c) Rritjen e bashkëpunimit në rekrutimin dhe trajnimin e personelit të seksioneve të Policisë Gjyqësore; d) Njoftimin e akteve përfundimtare, me qëllim vazhdimin e procedurave administrative për vjeljen e detyrimeve doganore, tatimore; e) Koordinimin lidhur me ndëshkimin e personave që kanë kryer veprat penale të prerjes së paligjshme të pyjeve, kërkimin e një dënimi plotësues lidhur me kthimin e sipërfaqes pyjore në gjendjen e mëparshme. f) Forcim të bashkëpunimit ndërinstitucional për përmirësimin e “track rekordit” (regjistrimet e të dhënave për personat që kryejnë krime) për statistikat.  

 Të ashpërsohen dënimet dhe masat e arrestit 

Sipas qeverisë, rritja e kriminalitetit sidomos shtimi i atyre veprave penale të cilat cenojnë rendin dhe sigurinë në vend, sjell si ndërhyrje imediate ashpërsimin e politikës së dënimit për këto vepra penale dhe sidomos ndaj atyre të pandehurve me rrezikshmëri të madhe shoqërore, përsëritës në krim. Përballë këtij realiteti, të dhënat statistikore të organit të prokurorisë, tregojnë se për vitin 2013 ka një rritje të kërkesave të prokurorëve për dënimin me burgim në minimumin e parashikuar nga dispozitat penale, krahasimisht me vitin 2012 në masën prej 11.57% dhe nga ana tjetër ka një ulje prej 18.98% të kërkesave të prokurorëve për dënimin me burgim në maksimumin e parashikuar nga dispozitat penale. Këto tregojnë që efektiviteti i politikës së dënimit nga organi i prokurorisë duhet të përmirësohet. Në këtë kuadër Këshilli i Ministrave i rekomandon Prokurorit të Përgjithshëm: 

I)Aplikim të masave të sigurimit personal të ndryshme nga e ajo e “arrestit në burg”, ndaj personave që kryejnë vepra penale me masë dënimi deri 5 vjet burgim. II) Zbatimin e masave alternative të dënimit, të cilat sigurojnë rehabilitimin e personave që kryejnë vepra penale me masë dënimi deri 5 vjet burgim dhe kanë rrezikshmëri të ulët shoqërore; III) Kërkesa për masën e sigurimit “arrest në burg” për të miturit, që kryejnë vepra penale me masa dënimi deri në 5 vjet burgim, të jetë rast përjashtimor dhe jo i zakonshëm. IV) Hetime të shpejta, me qëllim shkurtimin e kohës së qëndrimit të të miturve në paraburgim. V) Aplikimin e masës së sigurimit, si rregull arrest në burg, ndaj personave që kryejnë vepra penale që parashikojnë masë dënimi në minimum mbi 5 vjet burgim, sidomos në veprat penale me pasoja të rënda dhe të pandehurve me rrezikshmëri të madhe shoqërore. 

 

VI) Ashpërsim të dënimit për veprat penale që parashikojnë masë dënimi në minimum mbi 5 vjet burg. Ky rekomandim duhet të mbahet në konsideratë sidomos për veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. VII) Ashpërsim të dënimit për veprën penale të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake. VIII) Ashpërsim të dënimit për veprat penale kundër mjedisit. IX) Ashpërsim të dënimit për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm X) Ashpërsim të dënimit për veprën penale të vjedhjes së energjisë elektrike. XI) Ashpërsim të dënimit për veprat penale me qëllime terroriste. XII) Ashpërsim të dënimit për veprat penale të zhvillimit të palejuar të lojërave të fatit.  

Lufta kundër krimit të organizuar

Këshilli i Ministrave i rekomandon Prokurorit të Përgjithshëm: 1) Rritje të bashkëpunimit dhe shkëmbim të shpejtë të informacionit; 2) Përmirësim të kapaciteteve njerëzore dhe teknike në prokurori dhe polici; 3) Rritje të numrit të hetimeve pasurore. Të shfrytëzohen në maksimum mundësitë ligjore për sekuestrimin; 4) Rritje të numrit të hetimeve proaktive ndaj pasurive me origjinë nga veprimtari   kriminale; 5) Ashpërsim të politikës penale në drejtim të masave të sigurimit dhe dënimit për krimin e organizuar; 6) Rritje të bashkëpunimit brenda dhe jashtë vendit për goditjen e trafikimit të armëve; 7) Forcim të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për parandalimin e krimeve kompjuterike; 8) Krijimi i një platforme të sigurt për shkëmbimin e të dhënave.  

Për një vit u dënuan vetëm 70 persona për korrupsion

 Në kapitullin “Lufta kundër korrupsionit”, apo siç quhet, krimi i “jakave të bardha”, letra për Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, thekson se, qeveria ka propozuar dhe tashmë është miratuar nga Kuvendi paketa antikorrupsion, me amendime konkrete në Kodin e Procedurës Penale dhe në Ligjin Antimafia. Sipas ndryshimeve, korrupsioni konsiderohet si krim i rëndë, jo në kuptim të rritjes së masës së dënimit, por në faktin që këto vepra penale do të hetohen dhe gjykohen nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, me të njëjtat mjete siç luftojmë organizatat dhe bandat kriminale. Këto dispozita i japin mundësi organeve ligjzbatuese, siç janë Prokuroria dhe Policia e Shtetit, që me iniciativën e tyre, të bëjnë hetime proaktive me teknika të posaçme të hetimit. Ndryshimet e propozuara në Ligjin “Antimafia” synojnë rritjen e përpjekjeve për të dekurajuar në maksimum korrupsionin, nëpërmjet sekuestrimit apo konfiskimit të të gjitha pasurive të paligjshme, që burojnë nga veprat penale të korrupsionit.

 Në frymën e këtyre ndryshimeve të miratuara, prioritet i qeverisë është edhe shndërrimi i sistemit gjyqësor, nga një prej segmenteve më të korruptuar të shtetit, në një partner të fuqishëm, pa të cilin çdo iniciativë kundër korrupsionit do të ishte e destinuar të dështonte. Ekspertët ndërkombëtarë lidhur me luftën kundër korrupsionit, të cituar nga letra e qeverisë, përmendin se, numri i hetimeve dhe dënimeve mbetet përgjithësisht i ulët. Qeveria rekomandon se, “duhet të përforcohet koordinimi ndërmjet institucioneve dhe hetimi i mëtejshëm i këtyre rasteve. Në përgjithësi, hetimet vazhdojnë të kenë më shumë natyrë pasive, sesa proaktive. Sfida afatshkurtër është që të ngrihen hetime proaktive si parakusht për vijueshmërinë e rezultateve të ndjekjes efektive penale në të gjitha nivelet, veçanërisht në ato fusha ku ekziston një perceptim i fortë publik për korrupsion”. Gjithashtu, -vazhdon letra, të dhënat statistikore për veprat penale të korrupsionit dëshmojnë se pavarësisht perceptimit të lartë të publikut për nivelin e lartë të korrupsionit, numri i personave të dënuar për këto vepra penale vazhdon të mbetet i ulët. Mjafton t’i referohemi statistikave të vitit 2013 ku rezulton se vetëm 70 persona janë dënuar për veprën penale të korrupsionit. Për forcimin e luftës kundër korrupsionit Këshilli i Ministrave i rekomandon Prokurorit të Përgjithshëm: “Forcimin e integritetit të prokurorëve, fuqizimin e kapaciteteve të hetimit të veprave penale të korrupsionit, evidentimin dhe dokumentimin sa më efektiv të hetimeve për korrupsion, krijimin e një sistemi të konsoliduar të dhënash në lidhje me regjistrimin e hetimeve dhe dënimeve në fushën e korrupsionit. Konkretisht: 

I) Rritje të numrit të çështjeve të hetuara, sidomos i hetimeve proaktive, për raste të evidentuara në nivelet e mesme dhe të larta të administratës shtetërore, të sistemit gjyqësor dhe zyrtarëve pa imunitet; II) Forcim të koordinimit ndërinstitucional me shërbimet policore, për shkëmbimin e informacionit dhe përdorimin sa më efektiv të metodave speciale të hetimit, për sigurimin e provave dhe goditjen e korrupsionit; III) Hetime të shpejta, efikase dhe zbatim rigoroz të dispozitave procedurale penale; IV) Ashpërsim të politikës penale në drejtim të masave të sigurimit dhe atyre të dënimit në rastet e korrupsionit dhe fshehjes së pasurive, produkte të veprës penale; V) Forcim të kapaciteteve njerëzore në prokurori dhe në strukturat e tjera ligjzbatuese, nëpërmjet trajnimit specifik të tyre. VI) Përmirësim të track rekordit, me qëllim mbajtjen e statistikave të sakta në vijueshmëri me rezultate të vërtetuara, lidhur me hetimin dhe dënimet e rasteve të korrupsionit në të gjitha nivelet”./shekulli/