Lajme Shqip Monday, 14 November 2011 10:13

Prishtinë – Qeveria në Prishtinë e pranoi propozimin, i cili parashikon që Kosova dhe Serbia së bashku t’i menaxhojnë kalimet kufitare reciproke, pa obligim që pas kësaj Beogradi ta njohë pavarësinë e Kosovës, konfirmon gazeta prishtinase “Koha Ditore”.

Gazeta përkujton se para një muaji autoritetet kosovare zyrtarisht e hodhën poshtë një propozim të tillë.

“Qeveria kosovare pranoi që kalimet kufitare me Serbinë të menaxhohen sipas sistemit integrues, në lidhje me standartet e BE-së. Parashikohet që së bashku të punojnë doganierë dhe të patrullojë policia kufitare nga Kosova, Serbia dhe EULEKS-i. Propozimi është rezultat i proçesit që zbatohet në mënyrë paralele me dialogun (Beograd-Prishtinë)”, deklaroi për “Koha Ditore” një përfaqësues anonim i bashkësisë ndërkomëtare.

Proçesi paralel filloi me konsultimet e përhershme që ndërmjetësuesi ndërkombëtar në dialogun Robert Kuper i ka pasur me shefat e ekipeve negociuese të Kosovë dhe të Serbisë, Edita Tahiri dhe Borisllav Stefanoviq, thekson “Koha Ditore”.

Stefanoviq nga ana e vet konfirmon se nuk është arritur marrëveshje përfundimtare, duke shtuar se fjalën e fundit për këtë do ta kenë organet shtetërore serbe. Megjithatë, ai nuk mohon se është në zgjidhje e sipër, çështja për vendkalimet e veriut të Kosovës.