Lajme Shqip Friday, 05 October 2012 09:59

Prishtinë – Partia Demokratike e Kosovës është duke e çuar vendin drejt një krize të re institucionale nëpërmjet bllokimit të punës së Kuvendit të Kosovës. Këtë bindje e kanë forcuar partitë parlamentare të “bllokut” opozitar, ditën e djeshme, pas bojkotit që ia kanë bërë kabineti qeveritar dhe deputetët e koalicionit shumicë seancës plenare.

Bllokimi i punës së organit më të lart ligjvënës, në shenjë revolte vetëm pse kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, nuk ka pranuar ta shkelë Rregulloren e punës për ta futur në votim “mocionin për privatizim” të propozuar nga PDK-ja, sipas opozitës, nuk është asgjë tjetër pos reflektim i krizës së parë institucionale, në periudhën e ecjes së shtetit pa mbikëqyrje ndërkombëtare.

Zgjidhja më e favorshme për vendin, sipas opozitës, është largimi i kësaj Qeverie dhe hapja e rrugës për zgjedhje të reja të parakohshme.

Shefi i Grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare në vend, Ismet Beqiri, është shprehur i bindur se Qeveria Thaçi 2,  tashmë edhe vetë është pajtuar se nuk ka kapacitete për të shkuar deri në fund të mandatit të rregullt.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, nuk është treguar i gatshëm ta jepte versionin e tij, se çka në të vërtetë është duke ndodhur në PDK.

Një nga anëtarët e Kryesisë së PDK-së ka thënë se konfrontimet publike mes Grabovcit dhe sekretarit të përgjithshëm të partisë, Jakup Krasniqi, nuk lidhen aq shumë me funksionimin e Kuvendit, sa lidhen me zhvillimet e brendshme në PDK.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk ka qenë në gjendje të jepte shpjegim pse Qeveria është duke e “injoruar” Kuvendin. I pyetur pse Qeveria e ka bojkotuar Kuvendin, një praktikë kjo e paparë në vendet demokratike, ai është përgjigjur shkurt: “Është punë e Kuvendit”.

Krasniqi dhe Limaj kanë qenë të vetmit deputetë të PDK-së që kanë qëndruar në sallë të Kuvendit, deri në mbyllje të seancës. Bashkëpartiakët e tyre, kanë qëndruar në hollin e Kuvendit. (LajmeShqip.com)