Lajme Shqip Friday, 03 February 2012 10:30

Prishtinë-Përveç parave të gatshme që i dërgon për familjet e tyre, diaspora kosovare duhet edhe të investojë në Kosovë.

Ministri i diasporës, Ibrahim Makolli, tha se vendi ynë ka kapacitete të mjaftueshme për investime, ndërkaq qeveria do të punojë edhe më tutje për përmirësimin e mjedisit dhe krijimin e kushteve sa më të favorshme për mërgimtarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Zëvendëskryeministrja, e ministre e tregtisë dhe industrisë, Mimoza Kusari Lila tha se diaspora është fuqia më e madhe investuese që ka Kosova dhe potenciali i saj nuk është shfrytëzuar ende sa duhet.

Përderisa në fillim të konferencës kishte probleme të furnizimit me energji, ministri i zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj, tha se Kosova ka nevojë për investime në fushën e energjisë por edhe në fusha tjera.

Edhe ministri i bujqësisë Blerand Stavileci bëri thirrje për investime në sektorin e bujqësisë, si një sektor me potencial të madh ekonomik dhe për hapjen e vendeve të punës.

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtarë për Migrim, jashtë vendit jetojnë prej 500 deri në 900 mijë kosovarë, pjesa dërmuese e të cilëve kanë status legal, kurse gjysma e tyre shkojnë për të punuar. Gjatë vitit 2010 dërgesat e tyre arrinin mbi 511 milionë euro. (LajmeShqip.com)