Lajme Shqip Sunday, 20 March 2011 08:46

Prishtinë – Gjatë këtij viti Qeveria e Kosvës do ta formojë Koumnën e Mitrovicës së Veriut, shkruan të dielën gazeta e përditshme “Koha Ditore”. Qeveria ka paraparë ta krijojë Komunën e Mitrovicës së Veriut, një veprim që shteti serb e vlerëson si provokim.
Plani i miratuar tri ditë më parë parasheh që Komuna e Mitrovicës Veriore të jetë e gatshme në paraktikë deri në tetor të këtij viti, ndërkohë që për këtë do të zhvillohet edhe një fushatë sensibilizuese.

Themelimi i kësaj komune të populluar nga serbë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, është një nga shumë objektivat që ekzekutivi ka vënë në planin vjetor të punës

Autoritetet kosovare kanë shprehur nevojën se duhet dhënë sa më shpejt rezultate një ekip përgatitor për themelimin e kësaj komune, kurse autoritetet serbe e vlerësojnë provokim këtë.
Sllobodan Petroviq, zv/endëskryeministri i Kosovës dhe ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, ka vizituar tri ditë më parë  Mitrovicën, për t’i parë nga afër përgatitjet që po bëhen për të krijuar komunën e re.
“Kam qenë edhe në jug e edhe në veri. Kam pasur takim me ekipin përgatitor për krijimin e Mitrovicës së Veriut, që u kam dhënë përkrahje në punën e tyre dhe u kam thënë që në periudhën e ardhshme duhet të ketë rezultate konkrete”, ka thënë Petroviq, që është lider i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, SLS-së, që njeh rendin kushtetues. “Që krijimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut të bëhet këtë vit, kjo nuk varet vetëm nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Për këtë punon krejt Qeveria”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër, qasjen e tillë e kanë kundërshtuar autoritetet e Serbisë. Oliver Ivanoviq, që për një mandat ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës e tash sekretar shtetëror në të ashtuquajturën Ministria Serbe për Kosovën, përfaqëson politikën beogradase që kundërshton pavarësinë e Kosovës. Ai ka deklaruar se e konsideron si lloj mashtrimi të opinionit në Prishtinë lajmin se komuna do të krijohet deri në tetor. “Ose, nëse vërtet kjo ndodh, atëherë duhet të konsiderohet si lloj provokimi që mund të nxisë reagime”, shkruan, ndër të tjera e përditshmja e Kosovës “Koha Ditore”.