Lajme Shqip Thursday, 17 September 2015 09:46

Edhe pse Qeveria e Kosovës ende zyrtarisht nuk e ka komunikuar, burime brenda saj kanë konfirmuar përKosovaLive se ajo ka zgjedhur një rrugë të re për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, respektivisht në një forcë të armatosur të Kosovës, duke iu shmangur ndryshimeve kushtetuese, për të cilat janë të nevojshme 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe 2/3 e deputetëve të minoriteteve, ndërsa deri më tani një gjë e tillë është parë e pamundshme të arrihet me deputetët e Listës Serbe.

Flitet se tashmë brenda qeverisë janë bërë përgatitjet për ndryshimet ligjore që do t’i bëhen vetëm Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në të cilin do të shkrihet e gjithë përmbajtja e Projektligjit për Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), të cilin e ka kaluar Qeveria e Kosovës, por ai nuk ka arritur të dalë para deputetëve.

Ndonëse ende askush nuk e ka konfirmuar se si do të jetë emërtimi i kësaj force të armatosur, ajo që tash për tash dihet është vetëm se me ligjin e ri që po përgatitet, FSK-ja do të marrë misionin e ushtrisë me të gjitha kompetencat ushtarake.

Burime brenda qeverisë thonë se baza ligjore për ndryshimin e statusit të Forcës së Sigurisë të Kosovës është gjetur në nenin 126 të Kushtetutës së Kosovës, ku thuhet se organizimi i brendshëm i Forcës së Sigurisë të Kosovës rregullohet me ligj.

Njohës të rrethanave politike në Kosovë, deputetë opozitarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile vazhdojnë të mendojnë se çështja e themelimit të ushtrisë së Kosovës ka filluar dhe ende mbetet më shumë një lojë e madhe politike, sesa një proces i nisur me seriozitetin që e meriton.

Sipas tyre, çështjen e formimit të ushtrisë së Kosovës që në start ish-kryeministri Hashim Thaçi e filloi si lojë politike që e bëri kryekëput për qëllime politike në fushatën për zgjedhjet e fundit parlamentare.

Deklarimi me pompozitet i Thaçit para zgjedhjeve se “ne jemi ata që do ta formojmë Forcën e Armatosur të Kosovës” dhe kalimi i një vendimi të tillë shpejt e shpejt në mbledhje të Qeverisë së Kosovës, sipas analistëve është dëshmi se kjo çështje filloi si një lojë politike, si një pazar politik me elektoratin dhe sot po vazhdon si një pazar politik me Serbinë, respektivisht me Listën Serbe në Kuvendin e Kosovës.

Deputetë opozitarë në Kuvendin e Kosovës, ndonëse janë skeptikë se ky proces do të kryhet brenda vitit 2015, vlerësojnë se çështja e forcës së armatosur të Kosovës duhet të votohet në Kuvendin e Kosovës sa më parë që të jetë e mundur dhe të mos mbetet më peng i pazareve politike ndërmjet qeverisë dhe Listës Serbe.

Përgjegjësinë për moskrijimin e ushtrisë së Kosovës e ka qeveria

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, deklaroi për KosovaLive se qeveria ka heq dorë nga themelimi i forcës së armatosur të Kosovës që nga momenti kur ka deklaruar se nuk mund ta bëjë FAK-un, por do të vazhdojë të bëjnë kompetenca shtesë për FSK-në.

“Kjo zvarritje është produkt i një qeverie çfarë e kemi, e cila po e zvarrit këtë proces sepse kështu po do Lista Serbe në Parlamentin e Kosovës, respektivisht Beogradi zyrtar. Çështjen e FAK-ut e ka hequr nga rendi i ditës Qeveria e Kosovës, sepse ajo ka hequr dorë nga themelimi i FAK-ut që nga momenti kur ka deklaruar se nuk mund ta bëjnë FAK-un, por do të vazhdojnë të bëjnë kompetenca shtesë për FSK-në”, ka deklaruar Selimi.

Ai vlerëson se një gjë e tillë nuk ka shpresë që të kryhet brenda vitit 2015, pasi, sipas tij, përderisa është ky koalicion as që mund të bëhet fjalë se mund të lëvizë diçka në këtë drejtim.

Selimi mendon se Qeveria e Kosovës është dorëzuar kur ka deklaruar se është e pamundur të bëhen ndryshime kushtetuese për shkak të pozicionit të Listës Serbe si dhe kur u deklarua për shtimin e kapaciteteve për FSK-në.

“Në mungesë të fuqisë për ta bërë Forcën e Armatosur, pra ushtrinë qeveritarët tanë kërkojnë kompetenca shtesë për FSK-në. Mos të harrojmë se kompetencat ushtrisë ia përcakton Kushtetuta e pa ndryshime kushtetuese nuk ka ndryshim kompetencash, sepse kompetenca e një ushtrie është ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës gjë që këtë kompetencë në Kushtetutë nuk e ka FSK-ja”, ka shtuar Selimi.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Rrustem Berisha, ka thënë se përgjegjësinë për moskrijimin e ushtrisë së Kosovës deri më sot e ka Qeveria e Kosovës, e cila deri dje udhëhiqej nga Hashim Thaçi, ndërsa tash nga Isa Mustafa.