Lajme Shqip Saturday, 26 November 2011 11:18

“Aktiviteti” i vetëm që ka paralajmëruar që do organizojë Qeveria e Kosovës për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, është pushimi që do kenë institucionet për ditën e hënë. Tre ditë para kësaj feste ekzekutivi i vendit nuk ka njoftuar se do të kenë ndonjë aktivitet të veçantë me të cilin do të shënojnë 99-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Edhe Kuvendi i Kosovës, sipas zyrtarëve të këtij institucioni, nuk do të ketë ndonjë aktivitet, ndërsa kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka bërë të ditur se hënën nuk do të rrijë ‘duarkryq’.

“Festën e filloj me vendosjen e luleve në kompleksin memorial të Jasharajve (në Prekaz) dhe e mbyll me pjesëmarrjen në pritjen që e organizon Ambasada e Shqipërisë”, ka thënë shkurt Krasniqi.

As presidentja e vendit, Atifete Jahjaga nuk ka paraparë ndonjë organizim të veçantë për nder të kësaj dite. Zyrtarët e Presidencës të premten kanë refuzuar të japin detaje rreth aktiviteteve të presidentes më 28 Nëntor, si dhe pjesëmarrjes ose jo të saj në ndonjë ngjarje festive.

“Do të njoftoheni me agjendën me kohë”, është përgjigja e vetme që gazeta “Zëri” ka marrë nga Arbër Vllahiu, këshilltar për medie i presidentes Jahjaga.

Më aktivja për 28 Nëntorin, do të jetë Lëvizja “Vetëvendosje”, e cila ka njoftuar se të hënën e ardhshme do të ketë disa aktivitete në disa qytete të Kosovës.

Në Gjakovë dhe Prizren “Vetëvendosja” do të organizojë dy tribuna me temën “Shekulli i dytë i pavarësisë, nga pavarësi e cunguar në pavarësi të plotë”, ndërsa në Prishtinë, do të ketë aktivitete të shumta, ku nuk do të mungojë as zbukurimi i qytetit me flamuj kombëtarë.

Përveç tribunës “Kontributi i gruas në luftën çlirimtare 1997-1999, që do të mbahet në kryeqytet, në sheshin “Nëna Terezë”, kjo lëvizje ka paraparë të hapë një panair të prodhimeve vendore, ekspozitë të fotografive, kënd të fëmijëve, ku ata do të pikturojnë dhe do të bëjnë punime të ndryshme, si dhe do të ketë muzikë folklorike dhe muzikë të zhanreve të tjera.

Deputeti i “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, ka kritikuar qeverinë se ka tjetërsuar çdo gjë që ka të bëjë me aspektin kombëtar të shqiptarëve, përfshi festat dhe simbolet kombëtare./zeri