Lajme Shqip Monday, 14 September 2015 09:40

Mbështetja që ka marrë Kosova nga 44 shtete që kërkesa e saj të jetë pjesë e agjendës zyrtare të UNESCO-s, konsiderohet si hap i madh drejt anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë.

Tashmë Kosova ka arritur të jetë në rend të ditës së Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s, që do të mblidhet në sesionin e 197 punues në tetor të këtij vitit. Propozimin për futjen në rend dite të kërkesës së Kosovës e ka bërë Shqipëria, e 18 prej tyre janë pjesë e Këshillit Ekzekutiv që numëron gjithsej 58 anëtarë, shkruan sot Koha Ditore.

Duke llogaritur në këto vota, Kosovës i duhet edhe përkrahja e 12 shteteve të tjera që të sigurojë mbi 50 për qind të votave në këtë organ, në mënyrë që aplikimi i Kosovës të diskutohet në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s në nëntor të këtij viti, ku të qenit anëtar e mundësojnë dy të tretat e votave të 195 anëtarëve aktualë.

 “Duhet një shtet të jetë sponsor i kërkesës. Një shtet evropian është dashur, por në momentin e fundit ambasadori i atij shteti për arsye personale nuk ishte në Paris. Që të mos humbasim kohë, folëm me Besiana Kadarenë, ambasadore e Shqipërisë në UNESCO, që ajo të bëjë deponimin edhe pse bashkësponsorizuesit janë të barabartë, pavarësisht se kush e ka deponuar. Prandaj në agjendë nuk përmendet Shqipëria, por të 44 shtetet bashkësponsorizuese”, ka thënë të dielën zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi.

Sipas tij, sa u përket votave të sigurta në Këshillin Ekzekutiv, nuk mund të flitet me numra.

 

Por ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme kalkulon se do ta marrë shumicën në Këshillin Ekzekutiv.

Sa u përket kalkulimeve ka shpjeguar se shumica llogaritet vetëm për vendet që votojnë dhe nuk hyjnë në llogari ato që abstenojnë.

Sipas Selimit, ka edhe shumë shtete të tjera që e përkrahin Kosovën, por për arsye teknike, logjistike apo politike s’kanë mundur të nënshkruajnë si bashkësponsorizues.

Ka shpjeguar se nëse asnjë shtet i vetëm nuk abstenon, shumica në Këshill Ekzekutiv është 30 nga 58.