Lajme Shqip Saturday, 06 August 2011 14:27

Tiranë – Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës reagoi sot me anë të një njoftimi për shtyp mbi situatën në minierën e Bulqizës.

Duke ndjekur me shqetësim situatën e rënduar në grevën e urisë së minatorëve të Bulqizës, METE u bën thirrje negociatorëve, drejtuesve, minatorëve si dhe palëve që akuzojnë njëra-tjetrën, të ndalojnë menjëherë lumin e akuzave të ndërsjella, që po përpiqen ta çojnë në rrugë pa krye këtë situatë.

“METE duke ndjekur nga afër zhvillimin e kësaj greve në kushte tepër të vështira inkurajon çdo sinjal pozitiv për nisjen e dialogut dhe zgjidhjen e ngërçit të krijuar”, thuhet në njoftim.

Sipas METE, “Miniera e Bulqizës është pasuri kombëtare dhe asnjë palë apo individ nuk duhet të luajë për interesa personale me këtë pasuri”.

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, i bën thirrje palëve të rinisin urgjentisht dialogun për gjetjen e një marrëveshje dhe të arrihet zgjidhja konsensuale mes  tyre.

“METE shpreh besimin e saj të plotë se me përgjegjshmëri dhe seriozitet janë të gjitha mundësitë për të arritur nënshkrimin e një marrëveshje sipas legjislacionit në fuqi dhe ligjit për koncesionet e huaja, që t’i japë fund kësaj greve urie dhe të fillojë sa më shpejtë aktiviteti normal në minierën e Bulqizës”, përfundon njoftimi i METE.

Ndërkohë, minatorët e Bulqizës vijojnë sot ditën e 13-të grevës së urisë. Ata po qëndrojnë nën 1 400 metra thellësi në brendësi të tokës në kushte të vështira, por deklarojnë se nuk do të tërhiqen derisa firma austriake ACR të plotësojë kërkesat e tyre.

Kreu i Konfederatës së minatorëve, Kol Nikollaj, bëri apel sot me anë të një konferece për shtyp që METE dhe ACR të marrin masa dhe të plotësojnë kërkesat e minatorëve.