Lajme Shqip Friday, 18 October 2013 22:59

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi nismën e qeverisë për hartimin e Planit kombëtar të territorit, që të anulojë çdo plan dhe leje ndërtimi të dhënë në qendër të Tiranës, si dhe të rikthejë mbrojtjen me ligj të ansamblit të kryeqytetit. 

Qeveria thotë se në këtë mënyrë synon t’i japë fund informalitetit dhe të nisë një epokë të re per territorin. 

“Me marrjen e kësaj nisme do t’i jepet fund informalitetit. Gjithashtu do të nisë hartimi i planit të integruar të përgjithshëm të zonës ekonomike Tiranë-Durrës, e prekur nga kaosi urban”, deklaroi ministrja Eglantina Gjermeni në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro. 

“Një tjetër element shumë i rëndësishëm ishte masa për rehabilitimin e zonave dhe parqeve kombëtare, pasi 90 për qind të ndërtimeve që ndodhen në to janë informale”, deklaroi Koka. 

“U mor vendimi për rishikimin e listës së objekteve të rëndësisë së veçantë. Do të vihen në mbrojtje objektet e reja të trashëgimisë kulturore”, tha më pas Kumbaro. / Top Channel/