Lajme Shqip Monday, 14 November 2011 17:37

Tiranë – Konferenca e kryetarëve e grupeve parlamentare në mbledhjen e sotme arriti konsensus për tre çështje të rëndësishme të axhendës politike, ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, axhendën e ligjeve me shumicë të cilësuar dhe rishikimin e rregullores parlamentare.

Projektvendimi konsensual për çështjen e reformës zgjedhore, i nënshkruar nga kryetarët e dy grupeve më të mëdha parlamentare, Astrit Patozi për Partinë Demokratike dhe Gramoz Ruçi për Partinë Socialiste, parashikon ngritjen e komisionit të posaçëm, i cili ka për detyrë hartimin e amendamenteve për kuadrin ligjor zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-t për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe  ato lokale të vitit 2011.

Komisioni, që do ta ushtrojë veprimtarinë e tij për një afat tre mujor, do të përbëhet nga 10 anëtarë përfaqësues të partive parlamentare, 5 nga maxhoranca (2 PD, 1 LSI, 1 PR dhe 1 PDIU), dhe 5 nga opozita: (PS 4 anëtarë, PBDNJ 1 anëtar).

Sipas p/vendimit komisioni do të zhvillojë konsultime dhe seanca diskutimi me partitë politike jo parlamentare të interesuara për reformën zgjedhore, të cilat në zgjedhjet e fundit kanë marrë më shumë se 1% të votave në shkallë vendi, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile që kanë ekspertizë dhe eksperiencë në procesin zgjedhor. Konsultime e dëgjesa publike do të zhvillohen me kërkesën e palëve edhe me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, KQZ-së, si dhe institucione shtetërore që kanë rol në procesin zgjedhor.

Komisioni do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga Partia Demokratike dhe një nga Partia Socialiste, ndërsa pranë tij do të ngrihet një grup ekspertësh teknikë. Për çështje të veçanta, për të cilat palët nuk gjejnë  konsensus, do të kërkohet ekspertiza e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.

Një tjetër vendim i marrë sot nga Konferenca e Kryetarëve lidhet me ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar për t’u miratuar në Kuvend. Në mbledhjen e sotme u vendos që këto ligje të kalojnë për rishqyrtim dhe miratim në parlament në grupe, me kalendarë trejavore dhe në përputhje me rregulloren parlamentare.

Kështu për kalendarin e parë trejavor, 14 nëntor-7 dhjetor 2011, do të rishqyrtohen në komisione kodi hekurudhor, kodi ajror, kodi detar si dhe kodi rrugor.

Konferenca e Kryetarëve kërkoi nga komisionet parlamentare përkatëse të marrin të gjitha masat për organizimin e kalendarit të veprimtarive për rishqyrtimin e projektligjeve, me qëllim përmbushjen e afateve të përcaktuara për shqyrtimin në seancë plenare.

Ndërkohë, projektligjet e tjera të mbartura për rishqyrtim dhe miratim, do të përfshihen në programin e ri të punës së Kuvendit për sesionin e ardhshëm parlamentar, me synim që shqyrtimi dhe miratimi i tyre të përfundojë brenda muajit mars 2012.

Ndërsa vendimi tjetër i Konferencë së kryetarëve lidhet me ngritjen e grupit të punës “Për rishikimin dhe përmirësimin e Rregullores së Kuvendit, duke marrë si model referimi rregulloren e Parlamentit Europian dhe rekomandimet e Komisionit Europian.

Grupi i Punës do të përbëhet nga 4 anëtarë, 2 nga shumica dhe 2 nga opozita parlamentare. (LajmeShqip.com)