Lajme Shqip Thursday, 28 July 2011 09:30

Mitrovicë – Situata në veri të Kosovës është e qetë. Në orët e para të ditës së sotme, që prej minutave të para të mesnatës, ka vazhduar vendosja e rendit dhe e qetësisë në pikat kufitare 1 dhe 31 dhe në pjesën veriore të vendit.

Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar qytetarët e vendit se, sipas informacioneve më të fundit nga terreni, gjendja në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës është në përgjithësi e qetë, por me tensione të herëpashershme.

Gjatë tërë kohës të mobilizuara kanë qenë forcat e KFOR-it, për ta mbajtur situatën nën kontroll dhe për t’i përgjigjur ndonjë shpërthimi eventual të tensioneve.

“Forcat e KFOR-it janë duke e mbajtur gjendjen nën kontroll dhe ka mobilizim të plotë të efektivave të tyre, të cilat aktualisht po i mbajnë në kontroll të plotë pikat 1 dhe 31”, është thënë në komunikatën e Qeverisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka ftuar mbrëmë vonë edhe një herë të gjithë qytetarët e vendit që të kenë besim në institucionet e Republikës së Kosovës dhe në partnerët ndërkombëtarë dhe të ruajnë qetësinë. Qeveria, sipas kumtesë, “garanton dhe siguron të gjithë qytetarët se në asnjë rrethanë nuk do të zbrapsemi, nuk do të ketë kthim prapa, për Kosovën do të ketë vetëm ecje përpara”.

“Ky është momenti i së vërtetës për Kosovën, momenti për vënien e ligjit dhe rregullit pas 12 vitesh, ky është momenti i unitetit politik dhe qytetar”, përfundon komunikata e  Qeverisë së Kosovës.

Sot Kuvendi i Kosovës do të diskutojë në një pjesë të seancës për situatën e krijuar në veri të vendit. Kryeparlamentari Krasniqi i ka dhënë mbështetje të plotë operacionit të Qeverisë në veri. Gjithashtu, të gjitha grupet parlamentare e kanë mbështetur operacionin. (LajmeShqip.com)