Lajme Shqip Tuesday, 28 August 2012 13:03

Mitrovicë – Tre shtetas serb janë arrestuar nga policia e Kosovës në jug të Mitrovicës, pasi kanë gjuajtur me shishe xhami policinë.

Lajmi është raportuar nga mediat kosovare, të cilat kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në orët e para të së martës, kur një grup serbësh ka kaluar në jug të qytetit nga veriu duke kënduar e provokuar banorët shqiptarë.

Arrestimin të tre serbëve në jug të Mitrovicës e ka konfirmuar edhe policia. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti ka theksuar se rasti  ka ndodhur rreth orës 02:30 të së martës në rrugën “Agim Hajrizi”, ndërsa tre të dyshuarit të përkatësisë etnike serbe, ishin nën efektin e alkoolit. Mësohet se ata kishin kaluar urën kryesore nga veriu në jug të Mitrovicës, së bashku me një grup tjetër personash, janë ndaluar nga policia për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike.

Sipas policisë ata janë ndaluar në shëtitoren e qytetit, pranë urës kryesore në Mitrovicë, ndërsa së paku katër persona kanë mundur të largohen në drejtim të veriut pas kërkesës së policisë. Tre të tjerë që mbanin një shishe xhami në dorë, pas kontaktit të parë rezistues ndaj policisë, kanë hedhur shishen në drejtim të policëve të Kosovës. Njëri nga policët është goditur në këmbë me shishen e hedhur dhe konsiderohet të jetë lënduar lehtë trupore. (LajmeShqip.com)