Lajme Shqip Saturday, 26 April 2014 12:25

Bashkitë e Tiranës dhe të Kamzës si dhe komuna e Pskuqanit kanë bllokuar procesin e legalizimit duke rrezikuar pasuritë e të paktën 13 mijë qytetarëve që kanë ndërtuar shtëpi në këto zona. Alarmi u dha dje nga Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, i cili ka shpjeguar jo vetëm ngërçin e legalizimit në Tiranë dhe përreth saj, por edhe një rrugëdalje, e cila kërkon bashkëpunimin e pushtetit vendor. Kreu i ALUIZNIt akuzoi bashkinë e Tiranës se deri tani ka refuzuar të bashkëpunojë me ALUIZNI- n, por edhe kryetarin e bashkisë Kamëz si dhe të komunës Paskuqan se kanë bllokuar procesin e legalizimit pasi në planet e tyre rregulluese kanë parashikuar ndërtime të larta. “Ligji ekzistues i bashkisë parashikon moslegalizimin e objekteve në ato zona ku studimet parashikojnë ndërtimet mbi 5 kate. Ky ligj i 2006 është ende në fuqi. ” tha dje Artan Lame.  

Përplasja  

Kreu i ALUIZNI-t Artan Lame shpjegoi dje ngërçin që është krijuar mes ligjit të legalizimeve dhe planeve rregulluese vendore, të cilat parashikojnë që në Tiranë, Kamëz dhe Paskuqan të ndërtohen shumëkatëshe dhe jo shtëpi të thjeshta banimi, të cilat presin legalizimin prej me shumë se 8 vjetësh.

“Çështja është e thjeshtë. Ligji ekzistues i legalizimeve i bërë nga partia e Bashkisë në vitin 2006, parashikon moslegalizimin e të gjithë objekteve të ndërtuara në trojet me pronarë kur në atë zonë parashikohen studime mbi 5 kate. Më vonë, në vitin 2013, Bashkia miratoi një plan rregullues, i cili e parashikon praktikisht të gjithë hapësirën e Tiranës cep më cep me ndërtime mbi 5 kate, duke rrafshuar çdo gjë, duke mos lënë më as zona periferike, as zona të mbrojtura. Në këtë ethe të marrë drejt fitimit, që shkel mbi shtëpitë e njerëzve, megjithatë ka një konkurrent që ja kalon edhe Bashkisë Tiranë dhe ky është Bashkia e Mziut (Kamza), e cila edhe kjo parashikon të bëhet Nju Jork me ndërtime të larta, duke lënë kështu pa legalizuar të gjitha ndërtimet në tokë me pronar. Por edhe të mos mjaftonte kjo, edhe komuna Paskuqan ka miratuar planin rregullues që parashikon të kthehet në Manhatan me ndërtimet e larta, duke përjashtuar nga legalizimi të gjithë ndërtimet në tokë me pronar. Po përmend, jo më kot, disa prej komunave rreth Tiranës, pasi, kur në vitin 2012, Bashkia e Tiranës po hartonte planin rregullues, opozita e atëhershme dhe shoqëria civile denoncuan faktin e rëndë se plani që po hartohej po zhdukte të gjitha hapësirat e gjelbëra të qytetit. Basha është justifikuar atëherë dhe vazhdimisht duke thënë se hapë sirat e gjelbërta dhe zonat e mbrojtura që po zhdukte në Tiranë, do të krijoheshin në komuna përrreth qytetit”- deklaron Lame. 

Zgjidhja e ngërçit 

Legalizimi i ndërtimeve në Tiranë, Kamëz dhe Paskuqan kërkon jo vetëm miratimit e ligjit të ri për legalizimet, që po diskutohet në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese dhe pritet që në fillim të muajit të ardhshëm të kalojë në kuvend, por edhe një mirëkuptim mes qytarëve që kanë ndërtuar shtëpi dhe pronarëve të tokës. “Tani shihet qartë që ky ishte thjesht një mashtrim për të justifikuar plaçkitjen e çdo hapësire të mbetur në qytet. T’i rikthehemi edhe njëherë problemit të krijuar nga ligji i vitit 2006. Ju bëj thirrje qytetarëve të mos ndikohen nga deklaratat e Bashkisë, por të rrinë të qetë, sepse ne e kemi gjetur zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të krijuar prej tyre dhe të ngatërruar keqazi po prej tyre. Në komisionet paralamentare, ku deri tani është diskutuar projektligji, kemi prashtruar zgjidhjen tonë për këtë ngërç dhe çuditërisht qenë pikërisht deputetët e zotit Basha që dolën kundër. I ftoj që minimalisht të merren vesh me njëri tjetrin, se kështu e vetmja gjë që merren vesh është që nuk merren vesh as midis tyre”-deklaroi Lame.

 

Përplasja me Bashkinë, zgjidhjet që ofron ALUIZNI 

Sa familje janë të prekura nga kjo përplasje? 

Artan Lame: Për këtë fashë, që në rang qarku është rreth 13 mijë ndërtime, situata do të zgjidhet duke u bërë presion edhe pronarëve të truallit edhe atyre që kanë ndërtuar, duke u dhënë hapësirë sipas objektit që kanë ndërtuar. Situata e sotme është e qartë, ai që ka truallin nuk e merr dot se mbi të është ndërtuar, ai që ka ndërtuar nuk merr dot tapinë se është në tokë të huaj dhe e kanë lënë kështu për 8 vjet. Ne kemi gjetur zgjidhjen e cila është funksionale, sepse kemi folur me ish-pronarët dhe banorët e zonave, kemi folur me shoqatat e ndërtuesve, të cilët janë gati të hyjnë edhe ndërmjetës për zgjidhjen e kësaj çështje, pra zgjidhja është. 

Zgjidhja juaj mos hap konflikt mes palëve? 

Artan Lame: Deri sot nuk ka pas asnjë zgjidhje. Deri sot jemi në kushtet e konfiktit midis palëve. Ata ishin lënë siç ishte traditë në 8 vjet: zgjidheni me njëri –tjetrin dhe, kur të zgjidhet, merrni letrat. Ne po bëjmë pikërisht atë që ka për detyrë të bëjë të shteti, i cili ekziston për të hyrë mes palëve që kanë konflikt dhe për ta zgjidhur atë, për një zgjidhje të përbashkët. 

Kur do të miratohen ndryshimet në ligjin për legalizimet? 

Artan Lame: Unë ju them se ligji ose javën tjetër ose pas dy javësh kalon në kuvend. Nga sot deri në ditën e fundit u themi hajde të gjejmë zgjidhjen. Në rast se ata nuk vijnë për të zgjidhur çështjen e planit rregullues unë jam gati të shkoj në Bashki dhe të diskutoj për të zgjidhur çështjen. 

 

Bashkia refuzon bashkëpunimin  

Bashkia e Tiranës ka refuzuar t’i bashkohet tryezave për ndryshimet në ligjin për legalizimet. Artan Lame bën të ditur se janë një mori letrash, me të cilat i kërkohet Bashkisë së Tiranës, bashkëpunim dhe informim për këtë çështje, pra të planit rregullues, i cili bllokon legalizimet në zonat e përmendura më sipër.

“I ftuam në tryezën e oraganizuar me të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me legalizimet dhe nuk erdhën. Sot po jua kërkoj sërish faqe të gjithëve, ose të vijnë kur të duan në institucionin tonë, ose të na thonë ne kur të duan në Bashki. E rëndësishme është të bien dakord për të zgjidhur problemin e krijuar prej partisë së tyre në vitin 2006 dhe prej Bashkisë së tyre në vitin 2013, sepse nuk mund të vazhdojnë të mbulohen, duke u përpjekur të lënë gjithmonë kopilin e tyre në derën e tjetrit. Në instancë të fundit, megjithatë, ne kemi parashikuar ta zgjidhim problemin edhe sikur të mos duan, duke vazhduar thjesht të bëjnë deklarata politike. Se sa besim u ka mbetur qytetarëve tek bashkia, e shpreh edhe një tjetër lajm. Një tjetër lajm i mirë për qytetarët, është çështja e pallateve të pahipotekuara. Shoqata e Ndërtuesve e shpalli në komision parlamentar se e kërkon zgjidhjen me ne dhe jo me Bashkinë. Më qartë se kaq nuk mund të shfaqet paaftësia e tyre për të zgjidhur probleme”-deklaron Lame.