Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 14:15

Tiranë – Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, gjatë inspektimit të martën të punimeve në Unazën e Madhe të Tiranës, deklaroi se ecuria e tyre është mjaft e mirë dhe se në fundin e pranverës së vitit tjetër projekti do të jetë i hapur dhe i kalueshëm për trafikun tranzit nga Tirana në drejtim të Elbasanit.

“Është një volum shumë i madh sa i takon veprave të artit apo gërmim-mbushjes, por gjithçka ka ecur mbarë dhe vërtet jam i kënaqur me ecurinë e punimeve”, deklaroi Olldashi për mediat.

Kreu i MPPT-së shprehu besimin se vënia në funksion e dy loteve të para të dy projekteve të rëndësishme, si ai i Unazës së Madhe edhe autostradës Tiranë-Elbasan, do t’i japin tranzitit të mallrave dhe njerëzve një lehtësim shumë të madh. Olldashi tha se puna do të përshpejtohet edhe me vazhdimin e autostradës Tiranë-Elbasan dhe tenderimit për pjesë të tjera të autostradës, ndërkohë që ecuria në tunel është mjaft e mirë në të gjithë këtë aks.

Nga ana tjetër, Olldashi ftoi qytetarët të lëvizin përmes Unazës së Madhe, pavarësisht se ende nuk kanë përfunduar punimet, pasi sipas tij, trafiku është i hapur. “Ky aks ka filluar të vihet në përdorim për shkak të trafikut të rëndë për të shmangur hyrjen në Tiranë. Mirë do ishte që i gjithë ky trafik, edhe pse rruga nuk është e përfunduar, të kalonte këtej, sepse traseja është e kalueshme dhe në fakt lehtësimi i trafikut ka filluar”, deklaroi Olldashi.