Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 16:45

Tiranë – Shqipëria përballet tashmë më probleme të cilësisë së ajrit urban, përmasat dhe graviteti i të cilit janë të evidentuara gjithnjë e më mirë, tha sot ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë takimit “Përmirësimi i cilësisë së ajrit në Tiranë”, mbajtur në Hotel Rogner.

Në takimin me specialistë të shëndetit publik dhe të mjedsit u diskutua mbi parametrat e ajrit në Tiranë, ndërkohë që u hodh ideja e ngritjes së një grupi pune ndërinstitucional për përmirësimin e cilësisë së tij.

“Cilësia e ajrit është një komponent mjedisor që ka merituar një vëmendje të veçantë nga strukturat monitoruese të shëndetit publik në vendin tonë, për arsye të historisë së ndotjes industriale të shfrenuar dhe për arsye të sfidave të reja mjedisore”, tha Vasili, duke shtuar se “humbja e pritshme e jetëgjatësisë së popullatës së Tiranës, për shkak të ndotjes së ajrit, do të kapërcente 1.5-2 vite jetë për banor”.

Tre presionet kryesore, sipas tij, që kanë ndikuar në përkeqësimin e cilësisë së ajrit në vite janë intensifikimi i transportit, shoqëruar me shumëfishim të numrit të makinave dhe rritje të shkarkimeve të lëndës së grimcuar e të gazeve në mjedisin e Tiranes, ndërtimet e shumta urbane, duke reduktuar siperfaqen e gjelbëruar, infrastruktura rrugore larg parametrave që mundësojnë fluksin normal të trafikut, por edhe rritja e pakontrolluar e numrit të popullsise urbane dhe e dendësisë se saj.

Ndërkohë, Plani i Veprimit i vitit 2007 për pakësimin e ndotjes së ajrit është realizuar pak, kjo dhe për shkak të mosbashkëpunimit midis qeverisjes vendore dhe asaj qendrore.

Zv/ministri i Mjedisit, Taulant Bino, duke konsideruar cilësinë e ajrit problematike, propozoi ngritjen e një grupi pune të përbashkët për ajrin në Tiranë, e bazuar kjo në strategjitë ndërsektoriale.