Lajme Shqip Saturday, 02 April 2011 11:43

Prishtinë – Ndonëse Jakup Krasniqi ende nuk ka marrë zyrtarisht detyrën e ushtruesit të presidentit, Sindikata e PTK-së, e vënë në “siklet” pas miratimit të buxhetit, në të cilin përmes nenit 4 përfshihet shitja e PTK-së, i ka dërguar atij një letër, me kërkesën për mosshpalljen e Ligjit për Buxhetin 2011 dhe kthimin e tij në Kuvend.

Sindikata përkujton se Parlamenti i Kosovës më 31 mars ka miratuar Projektligjin për Aprovimin e Buxhetit për 2011, neni 4 i të cilit njeh të drejtën e shitjes së PTK-së. Sindikalistët kërkojnë heqjen e këtij neni, të cilin e konsiderojnë jo ligjor dhe kundërkushtetues.

“Neni 4 i Ligjit të Buxhetit është në kundërshtim me nenin 9 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike në Kosovë, ku i njëjti përcakton që për shitjen e Ndërmarrjeve Publike në Kosovë duhet vendim i Veçante nga Kuvendi i Kosovës. Neni 4 ka afat vetëm deri më 31 dhjetor të këtij viti dhe në asnjë mënyrë nuk mund të jetë i barasvlershëm dhe i njëjti dhe të ketë fuqinë e vendimit të veçantë që parashihet me nenin 9 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike.
Mbështetur në atë Ju si President në detyrë i Kosovës, keni kompetencën, përgjegjësinë dhe mandatin që në përputhje me nenin 80 paragrafi 3 ta ktheni prapë në Kuvendin e Kosovës Ligjin për Aprovimin e Buxhetit për vitin 2011, sepse neni 4 i këtij ligji është në kundërshtim me nenin 9 të Ligjit Themelor për Ndërmarrjet Publike. Presim një konfirmim nga ana juaj”, thuhet në letrën e Milazim Alshiqit, kryetar i SP të PTK-së.

Në kundërshtim të shitjes së PTK-së, Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të PTK-së, të enjten ka protestuar kundër privatizimit të PTK-së, e cila eskaloi në dhunë pasi ata provuan me dhunë të hyjnë brenda në Kuvend. Me këtë rast Policia e Kosovës përdori sprej për të larguar protestuesit, me ç’rast u lënduan disa protestues dhe dy gazetarë, si dhe u arrestuan dy protestues.
Një delegacion i Sindikatës së PTK-së po atë ditë zhvilluan një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nga i cili takim nuk pat një rezultat konkret.