Lajme Shqip Thursday, 24 November 2011 19:07

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq përmes një komunikate njofton se Grupi punues për persona të zhdukur në lidhje me ngjarjet në Kosovë mbajti sot në Beograd seancën e dhjetë publike.

Kryesuesja e grupit punues për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, Lina Milner ka thënë në takimin e sotëm në Beograd ka pasur përpjekje për ndriçimin e fatit të të pagjeturve. Por ajo ka shfaqur shqetësimin se nuk është punuar sa duhet.

“Gjatë vitit të kaluar, autoritetet në Beograd dhe Prishtinë kanë vazhduar përpjekjet për të kërkuar personat e zhdukur në përputhje me zotimet e tyre në kuadër të grupit punues.

Janë kontrolluar lokacione të dyshuara të vend varrezave në Peruçac, Livoç dhe Medvexhë. Ndërsa, punët janë duke vazhduar ende në Rashkë, Koshare dhe Zhilivodë.

Përkundër këtyre përpjekjeve, mbesin brengat për “ritmin e ngadalshëm të këtij procesi”, ka thënë Lina Milner.

Në këtë proces, mungesa e informatave të reja për vend varreza të mundshme dhe çështja e mbetjeve mortore të paidentifikuara janë pengesa reale për një progres më të shpejt. Që të dyja këto çështje duhet të adresohen urgjentisht, ka kërkuar Milner.

Sipas të dhënave Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuqë, prej 6 mijë e 19 persona të zhdukur, ende nuk dihet për fatin e 1799 prej tyre.