Lajme Shqip Sunday, 22 December 2013 13:19

Sot qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama do të analizojë 100 ditët e para të punës së saj. Prezantimi i punës së 100 ditëve të para të qeverisë ka nisur në orën 11:00 dhe do të vazhdojë për 4 orë, ku kryeministri Rama së bashku me ministrat e tij do të bëjnë bilancin e qeverisjes. Ministrat do të prezantojnë punën e bërë gjatë këtyre 100 ditëve që kanë qenë në detyrë. 

Prezantimin e parë e bëri zëvendëskryeministri Niko Peleshi, i cili u shpreh se qeveria e re gjatë këtyre ditëve solli një kulturë të re përgjegjshmëri, e cila do të plotësojë ëndrrat e qytetarëve shqiptarë.  Sipas tij, qeveria është e vetëdijshme për pritshmërinë e popullit shqiptar.

“Më 23 qershor populli votoi për të transformuar dhe modernizuar qeverinë. Administrata publike do të jetë kampioni dhe shembulli i kulturës demokratike. Do të sjellim një kulturë e re përgjegjshmëri, e cila do të plotësojë ëndrrat e shqiptarëve. Këtë proces sapo e kemi nisur,bazuar tek konkurrenca dhe  vlerësimi i meritës. Shërbimet kanë nisur të japin produktet e para, arsimi dhe shëndetësia po aplikojnë sisteme të reja” shtoi ai.

Më pas, ministrat kanë vijuar me prezantimin e punës së bërë gjatë këtyre 100 ditëve që kanë qenë në detyrë.

 

Ministria e Arsimit: Çliruam shkollat nga aktivitetet private

 

Në fjalën e saj, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla theksoi gjëja e parë që u bë pas marrjes së detyrës është çlirimi i shkollave nga aktivitetet private. Gjithashtu sipas saj u vendos transparenca nëpërmjet konkurseve të hapura për të përzgjedhur drejtorët e drejtorive rajonale.

 “Çliruam shkollat nga aktivitetet private. Mundësuam në duart e mësuesve kodin e etikës, si një instrument bazë për të luftuar kurset private dhe korrupsionin në arsim. Mundësuam kartën e performancës në shkollë”,- deklaroi ministrja Nikolla. 

 

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë: Iu gjendëm pranë shtresave në nevojë 

 

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj renditi arritjet e ministrisë që drejton në 100 ditët e para të punës. 

“Sistemuam 300 qytetarët romë që kishin 3 muaj që rrini në rrugë. Pastruam skemën e aftësisë së kufizuar, çuam në prokurori abuzuesit. Do fillojnë të shpërndahen pagesat për ata që u kanë munguar. Jam krenar që jemi qeveria e parë që ka futur edhe gjuhën e shenjave për të gjithë personat që nuk dëgjojnë. Mbajtëm premtimin tonë duke nënshkruar marrëveshjen e pensioneve me Belgjikën”,- tha ndër të tjera ministri Veliaj. 

 

 Ministri i Mjedisit, Lefter Koka 

 

E nisëm punën me një premtim të mbajtur për ndalimin e importit të mbetjeve. Mbyllja e furrave të gërqeles në Krujë. Kemi konfiguruar sistemin e informacionit mjedisor, çdokush do mund të aksesojë online të gjitha inspektimet dhe ndërhyrjet që bëhen në min e mjedisit. Ka filluar aksioni për ndalimi e subjekteve që shfrytëzonin inertet nënujore. Kemi identifikuar ndërtime të paligjshme në zona të mbrojtura parqe dhe shumë shpejt nis puna për rehabilitimin qendrave të mbrojtura. Natyra është gjithnjë e drejtë, natyra nuk gabon, janë njerëzit ata që gabojnë. Jam i bindur në një kohë shumë të shpejtë do mundemi të arrijmë objektivat.

 Ministrja e Inovacionit dhe e Teknologjisë, Milena Harito

Menjëherë ndërtuam bazën e CV-ve online, që janë mbi 16 mijë të tilla që janë baza e shkëlqyer. Mbi këtë bazë, vijnë edhe konkurrentët nëpër vendet e punës. Mbështetëm në mënyrë cilësore organizmin e kabinetit qeveritar me struktura të reja. Në fushën e inovacionit kemi pasur sfida të tjera. Kemi mbyllur mijëra sajte ilegalë, të cilët nuk kishin leje për në Shqipëri. Jemi përballë disa forcave të organizuara sepse edhe pse kemi mbyllur 6 mijë sajte, sërish hapen. Kemi nisur projekte të reja, si Itraking, që është ndjekja e punës së ministrisë, që çdo qytetarë të dijë se sa lekë harxhohen. Ne i vumë të gjithë aktorët e dixhitalizimit të televizioneve, për të kuptuar se ku ishin. Kaq mbledhje sa kemi bërë sot, nuk i kemi bërë në 8 vjet, ky është ndryshimi dhe Rilindja.

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço

Treguam vullnet të fortë për të reformuar sistemin e drejtësisë. Duam të jetë i pavarur, duam të dekurajojmë korrupsionin prandaj duam të miratojmë ligjin për vënien sekuestro të pasurisë të vendosur me para të pista. U dhanë 50 milionë dollarë më shumë për reformën në drejtësi./shekulli/