Lajme Shqip Thursday, 10 November 2011 15:00

Tiranë – Është publikuar të enjten në mesditë, lista e re e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e votuar më 5 nëntor nga 1500 delegatët e Kongresit të PS-së.

Deputeti socialist, Besnik Baraj lexoi të plotë emrat e përzgjedhur nga Kongresi për të qenë pjesë e forumit të lartë drejtues të Partisë Socialiste, gjithsej 189 individë, 128 kandidatë burra dhe 61 kandidate gra.

Në asamblenë e re bien në sy emra si Anastas Angjeli, Viktor Doda, Musa Ulqini, Luan Hajdaraga, Besnik Dervishi, etj, të cilët kanë qenë para vitit 2005 në funksione të ndryshme partiake dhe ekzekutive, por që ishin distancuar nga kjo parti, ose nuk ishin përfshirë në forumet partiake.

Gjithashtu, rikthehen në listë socialistë të vjetër si Ndre Legisi, disa nga themeluesit e PS-së si Shkëlqim Cani, ish- guvernator apo Bashkim Zeneli, ish-diplomat. Nga shoqëria civile spikat emri i ish-prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku, dekani i Akademisë së Arteve, Petrit Malaj, pedagoges Iris Luarasi etj. Ndërsa, jashte liste kanë mbetur anëtarja e kryesisë socialiste, Saemira Pino, Eva Allushi, Edlira Haxhiymeri etj.