Lajme Shqip Monday, 12 September 2011 08:15

Tiranë (PLOTËSUAR 16:02) – Strukturat e policisë së Shtetit dhe prokuroria e Krimeve të Rënda po kryejnë hetime intensive për zbardhjen e vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi, në Vlorë,  pak ditë më parë.

Në një konferencë për shtyp, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, deklaroi sot se “për ngjarjen, ka një vlerësim maksimal nga strukturat e policisë dhe prokurorisë së Krimeve të Rënda”.

Duke i’u referuar çështjes, Burgaj pohoi se, aktualisht hetimet mbi vrasjen e Konomit, janë përqendruar në dy pista”.

Kreu i Policisë së Shtetit shtoi me tej se, “mendoj që së shpejti mund të kemi ndonjë emër të dyshuari”.

Deklarata e Drejtorit të Pergjithshem të  Policise se Shtetit, Hysni Burgaj u bë pas një konference shtypi, ku prezantoi arritjet e një operacioni të ndërmarrë në luftën kundër krimit.”

*******************************

Vlorë – Publicisti Arjan Konomi, i afërmi i gjyqtarit Skerdilajd Konomi, që humbi jetën dy ditë më parë gjatë një shpërthimi me lëndë eksplozive në autoveturën e tij, përcjellë opinionin e tij për shkaqet dhe arsyet që çuan në vrasjen e 33-vjeçarit. Në një prononcim për median, ai shprehu mendimin e tij për ngjarjen.

“Dua të flas jo vetëm si i afërm i Skerdilajdit, si njeri që përjetova dhimbjet bashkë me familjarët e tij më të afërt, por edhe si gazetar. Nuk jam ekspert i çështjeve, janë institucione të tjera që mund të merren me këtë gjë, por këtu ka dy arsye që mund të flitet, që janë ajo për shkak të detyrës, si edhe për shkak të pronave, duke qenë se Skerdilajd Konomi ishte trashgimtar i madh pronash, qoftë në Vlorë, qoftë edhe në zonën e Durrësit”, tha Konomi.

Ai theksoi se “në qoftë se do të ishte për arsye detyre, me ato që na rezultojnë ne si familjarë dhe unë që e kisha jo vetëm kushëri, por edhe shok, ai ishte një djalë shumë korrekt, shumë i drejtë, jo vetëm si person, por edhe në profesionin e tij. Të gjithë kolegët flasin mjaft pozitivisht. Por, edhe nuk kishte asnjë shkak që të bën të dyshosh në punën e tij. Aq më tepër që ai jetonte si një qytetar i thjeshtë”.

“Mënyra si ndodhi, ishte një hakmarrje shumë e rëndë, për të treguar jo vetëm forcën që ka krimi i organizuar, mafia, por për t’i përcjellë një sinjal sistemit gjyqësor dhe shtetit, nëpërmjet sistemit gjyqësor. Me kete dua te them se duke ekzekutuar në atë mënyrë makabre dhe me elementë spektakli, në mes të qytetit dhe në një orë shumë të rëndësishme të ditës, që kishte qarkullim dhe që të bëhej sa më tepër vizibile për njerëzit dhe kamerat, kjo do ishte një leksion që mafia, krimi i organizuar t’i jepnin sistemit gjyqësor”, tha ai ne vijim.

“Ndaj dhe të gjitha institucionet e shtetit duhet patjetër që të gjejnë se kush janë shkaktarët e këtij krimi makabër dhe të paprecedent në historinë tonë”, theksoi ai.

Lidhur me çeshtjen e pronave, Konomi tha se “nuk di gjë për kërcënime ndaj Skerdilajdit. Di që ai ka patur një gjyq të cilin e ka fituar në Gjykatën e Lartë para disa javësh”.