Lajme Shqip Wednesday, 23 September 2015 12:09

Ndonëse dje kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku gjendej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, zyrtarët e kësaj të fundit e mohuan të ketë qenë aty.

Gazeta “Zëri” raportoi se, Lushtaku kishte shkuar për një kontroll të zemrës, por që më pas ishte zhdukur pa gjurmë nga Reparti i Kardiologjisë.

“Policia e ka kërkuar në këtë Repart, por nuk e ka gjetur, më pas Policia e EULEX-it ka arritur që ta arrestojë dhe në orët e vona e ka dërguar në pjesën veriore të Kosovës për të mbajtur seancën gjyqësore ndaj tij”, ka treguar burimi i “Zërit” i afërt me EULEX-in.

Drejtori i Emergjencës në QKUK, Basri Lenjanin ka thënë se Lushtaku nuk ka kërkuar trajtim mjekësor. “Jo ai nuk ka qenë gjatë ditës së sotme”, ka thënë ai të martën pas orës 20:00, i kontaktuar përmes telefonit.

Kurse, avokati i Sami Lushtakut, Arianit Koci, e ka konfirmuar për “Zërin” se ai është dërguar në veri, por nuk ka dhënë detaje të mëtutjeshme. “Po Lushtaku është dërguar sonte në orët e vona në veri, por për detaje tash për tash nuk mund të flas”, ka thënë për “Zërin”, Koci.

Ndërsa, zëdhënësi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Shpend Fazliu, ka thënë se menaxhmenti i SHSKUK-së nuk ka informacione zyrtare rreth kësaj çështjeje.

“Për këto çështje duhet pyetur në Departamentin Shëndetësor të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, ka thënë zëdhënësi Fazliu.