Lajme Shqip Sunday, 25 March 2012 18:48

Kreu i Grupit të PS-së flet për zvarritjen e zëvendësimit të deputetes socialiste nga Edison Konomi.

Kryetari i Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, akuzoi dje kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, se po mban peng zëvendësimin e mandatit të deputetes Rudina Seseri, për shkak të etheve që kanë zënë maxhorancën lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ri. Gjatë një interviste për “Panorama”, Ruçi thekson se bllokimi është i qëllimshëm dhe një lojë politike për të mbajtur opozitën me një numër më pak.

Zoti Ruçi, prej disa muajsh opozita përfaqësohet në Kuvend me një mandat më pak, për shkak të dorëheqjes së deputetes Rudina Seseri. A keni kërkuar si kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së zëvendësimin e zonjës Seseri, dhe pse ende nuk është kryer ky proces?

Gramoz Ruçi. Situata është e tillë, deputetja Rudia Seseri qysh në muajin dhjetor ka deklaruar dorëheqjen nga mandati i deputetit të PS-së. Sipas procedurave të Rregullores së Kuvendit dhe Kodit Zgjedhor, ajo duhet të ishte zëvendësuar brenda 2 javëve. Çështja u zvarrit fillimisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas ndërhyrjeve tona të herëpashershme, KQZ u shpreh për kandidatin që vjen në listë, i cili është zgjedhur tashmë kryetar i Bashkisë së Fushë-Krujës, Gjon Bardhi, dhe në këtë bazë kërkuam dhe ai paraqiti mosdakordësinë e tij, pasi kishte fituar një mandat tjetër nga elektorati i Fushë-Krujës. Në këtë bazë, sipas Rregullores së Kuvendi, duhet të mblidhej Këshilli i Rregullores së Imuniteteve dhe Mandateve dhe t’i thoshte KQZ-së që të sillte kandidatin tjetër që ishte i paraqitur në listën e Partisë Socialiste në Durrës, Edison Konomi. Nga ajo ditë deri më sot, me gjithë këmbënguljen tonë që prej 3 muajsh, edhe pse e kemi kërkuar rreth katër herë në Konferencën e Kryetarëve që të mblidhet Këshilli i Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve, na është thënë se do të mblidhet jo këtë herë, jo të hënën tjetër dhe deri më sot kryetarja e Kuvendit nuk mbledh këshillin përkatës, që është gjithsej 2 minuta mbledhje. Dhe kjo është një lojë politikë për të mbajtur peng një mandat të opozitës në Parlament, në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me Kodin dhe Rregulloren e Parlamentit.

Nga komunikimi që keni pasur me kryetaren e Kuvendit, a u është dhënë ndonjë shpjegim apo arsye për mosmbledhjen e Këshillit të Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve dhe zëvendësimin e deputetes Seseri?

Gramoz Ruçi. Nuk na është dhënë asnjë shpjegim, përkundrazi, sa herë që unë e kam trajtuar si problem në Konferencën e Kryetarëve më është përgjigjur: Posi zoti Ruçi, ditën e hënë do ta mbledhim këshillin, vjen e hëna dhe nuk e thërret këshillin. I njëjti ritual ka kaluar për një kohë të gjatë, duke thënë se nuk është ky deputet, ose deputeti tjetër është në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Janë tërësisht justifikime.

Pra, ju po thoni që moszëvendësimi është një lojë politike?

Gramoz Ruçi. Është një lojë politike që ka të bëjë më mbajtjen e opozitës me një numër më pak në Kuvend, për shkak të etheve që i ka zënë për çështjen e Presidentit.

A do të kërkoni sërish në mbledhjen e ardhshme të Konferencës së Kryetarëve zëvendësimin e deputetes Seseri?

Gramoz Ruçi. Patjetër, patjetër, që në seancën e parë.

Pra, sipas jush është një çështje burokratike që mund të zgjidhet në mbledhjen e parë?

Gramoz Ruçi. Nuk është as çështje burokratike, është çështje politike.