Lajme Shqip Tuesday, 20 December 2011 08:30

Tiranë-Tetë deputetë të opozitës kanë protokolluar në kryesinë e kuvendit, një letër për kërkesë informacioni ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës Nasip Naco në lidhje me minierën e Bulqizës.

“Edhe pse greva e minatorëve mori fund pak kohë më parë me një marrëveshje ndërmjet Sindikatës dhe shoqërisë koncesionare ACR, duke i dhënë vetëm zgjidhje të përkohshme problemeve të vetë minatorëve, familjeve të tyre, qytetit dhe banorëve që jetojnë me galeritë e minierës, fakte të njëpasnjëshme më kokëfortë sesa justifikimet politike tuajat, të Kryeminsitrit e të Qeverisë, na lënë të kuptojmë se zgjidhja përfundimtare është më larg se kurrë, siç është rreziku fatal më afër se ndonjëherë më parë”, thuhet në fillim të letrës e inicuar nga deputeti Saimir Tahiri.

“Ka dyshime serioze sipas të cilave grupe tërësisht mafioze e të veshura me pushtet, shkruajnë deputetët, kontrollojnë shfrytëzimin dhe tregëtimin e mineralit duke përdorur minatorët si skllevër e pasurinë kombëtare si mall pa zot dhe se galeritë e minierave janë shëndruar në kampet e përqëndirmit të kohëve moderne, ku varfëria mban peng vetë jetën dhe lirinë e minatorëve e familjarëve të tyre, ndërkohë që pushtetarë e biznesmenë të babzitur nxjerrin miliona euro përfitime me cmimin e lirë të lëkurës së minatorëve skllevër, që varfëria i detyron të punojnë e vdesin në galeritë e minierave”-vijon letra.

Në mbështetje të nenit 8 të ligjit “Për Statusin e Deputetit”, ata i kanë hartuar 23 pyetje që presin të marrin përgjigje nga ministri Naco, ku kërkojnë të informohen sa janë minatorët që kanë humbur jetën në galeritë e minierave nga viti 2000 deri sot.

-Cila është pozita ligjore e kompanisë ACR në raport me shtetin shqiptar?

-Cili është kontraktori i vërtetë? Vazhdon Darfo me nënkontraktor ACR apo është ACR që zëvendëson Darfo me ndryshim emri?

-Cili është aktiviteti ekonomik i ACR nga viti 2000 kur është regjistruar për herë të parë si person juridik deri në 2007 kur filloi biznesin e mineralit në Bulqizë?

-Bazuar në marreshjen koncesionare të miratuar në Parlament 10 vite më parë, sa është totali i investimeve të realizuara nga koncesionari për secilin nga zërat e marrëveshjes?

-METE dhe ju si Ministër i METE, i njihni vlerë ligjore dhe detyruese marrëveshjes së nënshkruar në 9 Korrik 2009 ndërmjet Ministrit Ruli dhe ACR, marrëveshje që modifikonte marrdhënien koncesionare, por që ende sot e kësaj dite nuk është miratuar në parlament siç e kërkon ligji?

Më tej vazhdohet me pyetje të tjera që lidhen me sigurinë e jetës së njerëzve, që punojnë në këtë minierë dhe proceset gjyqësore ku është përfshire kompania ACR. Gjithashtu, deputetët e opozitës kërkojnë t’u vihet në dispozicion i gjithë komunikimi ndërmjet kompanisë koncesionare “Dedeman” dhe METE. (TCH)