Lajme Shqip Saturday, 02 July 2011 15:07

Tiranë – Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, në përfundim të punimeve të saj, vendosi që të mbledhë më 5 nëntor Kongresin zgjedhor.

Kjo u bë e ditur për mediat nga sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi, i cili tha se duke parë rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit dhe duke vlerësuar shembujt e fitoreve nga Veriu në Jug, PS dëshmoi se është e aftë të fitojë në çdo kilometër katror të këtij vendi dhe të drejtojë në mënyrë shumë të përgjegjshme të gjithë strukturat ku ne kemi fituar.

Analiza politike dhe organizative në çdo strukturë të sajën, ishte vendimi tjetër që Asambleja Socialiste mori sot. Sipas Klosit, kjo analizë do të shtrihet në periudhën 2 korrik-1 shtator, ku më pas do të fillojë procesi i vendimmarrjes për të zgjedhur kryetarët e organizatave dhe të njësive të PS-së në të gjithë vendin dhe duke i lënë periudhën 15 tetor-5 nëntor zgjedhjes së forumeve drejtuese të PS-së në nivel lokal.

Klosi informoi gjithashtu se në mbledhjen e sotme PS diskutoi mbi situatën ku ndodhen problematikat e vendit, si dhe vendosi për ngritjen e grupeve të punës për dy funksione të rëndësishme të partisë: ndryshimet strukturore të saj dhe miratimin në Kongres të programit të ri politik të PS-së.