Lajme Shqip Tuesday, 09 July 2013 09:48

Tiranë – Kryetari i PS-së, Edi Rama mbledh sot në një takim të gjithë grupin parlamentar që doli nga zgjedhjet e 23 qershorit. Në orën 11:00 deputetë të rinj e të vjetër do të takohen në të parën mbledhje, edhe pse ende s’ka nisur punimet Kuvendi. Ashtu siç ka bërë prej ditësh që nga momenti i konfirmimit të fitores së thellë të së majtës, edhe sot Rama do të falenderojë edhe një herë të gjithë deputetët që punuan në çdo cep të Shqipërisë për fitoren e PS-së. Edhe pse është dhënë njoftimi i mbledhjes, nuk ka pasur një rend dite të përcaktuar. Burimet thanë dje për median se në mbledhjen e sotme mund të diskutohet në lidhje me vendimin për ndarjen e mandateve.

Tashmë përpara kryeministrit të ri të vendit, Edi Rama, mbetet puna dhe detyra e krijimit të qeverisë së re. Përveçse të ndajë postet me aleatët, ata që meritojnë në bazë të votave të marra të jenë në kabinetin e ri qeveritar, duhet që ai të përzgjedhë edhe emrat e ministrave nga Partia Socialiste, raporton BW. 

Rama e ka bërë të qartë edhe faktin që ai që do të pranojë të marrë detyrën e ministrit, do të duhet të lërë mandatin e deputetit. Të njëjtat burime nga PS kanë bërë të ditur se disa prej deputetëve e kanë refuzuar ta bëjnë këtë zgjedhje dhe për momentin një numër jo i vogël prej tyre kanë preferuar të mbajnë mandatin e deputetit, të cilin e konsiderojnë si një kontratë të shkruar me elektoratin e tyre. Gjithsesi, kjo temë do të hajë diskutime, nëse do të hapet në këtë mbledhje të grupit parlamentar. Por gjithsesi, Ramës i duhet që ta sqarojë këtë pikë më së miri për të vënë në vijë punët, që do të thotë se pas hartimit të strukturës së qeverisë së re, ai duhet që me urgjencë të përzgjedhë edhe kabinetin e tij, në mënyrë që në shtator, kur mbaron edhe mandati i qeverisë “Berisha”, ai së bashku me ekipin e tij të marrë miratimin në Kuvend.