Lajme Shqip Thursday, 28 July 2011 15:47

Tiranë – Partia Socialiste reagoi sot ndaj ngjarjeve të ditëve të fundit në veri të Kosovës.

“PS e ka ndjekur me shqetësim dhunën dhe tensionin e krijuar në veriun e Kosovës. I dënojmë si të papranueshme dhe të patolerueshme aktet vandaliste dhe kriminale, vepër e individëve dhe grupeve ekstremiste që u ka mbetur ora në një kohë dhe një ideologji për të cilën nuk ka më vend në Europën e vlerave, demokracisë dhe tolerancës ku synon të integrohet i gjithë rajoni”, thuhet në deklaratë.

PS shpreh dhimbjen për humbjen e jetës në krye të detyrës së efektivit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi si dhe i shpreh familjes dhe kolegëve të të ndjerit solidaritetin dhe mbështetjen më të sinqertë.

Përmes kësaj deklarate, PS mbështet plotësisht qëndrimin e njëzëshëm të të gjithë aktorëve politikë në Kosovë në lidhje me dhunën e ushtruar në veriun e Kosovës, një qëndrim që sot gëzon mbështetjen e mbarë kombit shqiptar.

“Pavarësia e Kosovës është tashmë një realitet i pamohueshëm i njohur në mënyrë ligjore nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës janë të paprekshme dhe të pacënueshme në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, prandaj është një e drejtë sovrane dhe e pamohueshme e qeverisë së Kosovës, e autoriteteve dhe institucioneve kosovare që të ushtrojnë autoritetin e tyre kushtetues e ligjor në mbarë territorin e vendit për rivendosjen e rendit publik dhe normalitetit të qëndrueshëm demokratik, thuhet në deklaratë.

Sipas PS-së, “rruga e dhunës nuk mund të jetë kurrsesi mënyra për të zgjidhur problemet dhe mosmarrëveshjet në Europën e shekullit të 21, aq më tepër kjo është e papranueshme kur dhuna është vepër e grupeve të izoluara të ekstremistëve që nuk përfaqësojnë as interesin e shtetit të Kosovës, as interesin e rajonit tonë dhe aq më pak interesin e komunitetit serb në emër të të cilit pretendojnë se veprojnë”.

“Perspektiva e integrimit euro-atlantik dhe zgjidhja e çështjeve me interes te ndërsjellë Serbi-Kosovë përmes dialogut dhe bashkëpunimit mbetet rruga e vetme që i shërben forcimit të paqes, prosperitetit, demokracisë dhe stabilitetit në rajon”, përfundon deklarata e PS.