Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 16:11

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke folur përpara deputetëve të tij, tha se kjo qeveri po vepron me logjikën ‘pas meje u bëftë qameti’. Rama tha se PS kundërshton ashpër privatizimin e katër hidrocentraleve të shtetit.

“Fatkeqësisht kambanat tona për krizën që sot ka prekur palcën e ekonomisë kombëtare e familjare nuk u dëgjuan.

Jo vetëm nuk u dëgjuan e jo vetëm që kriza u mohua, por ndodhi edhe shumë më keq. Sistemi i administrimit financiar u shthur dhe u prekën themelet e stabilitetit makro-ekonomik. Sot BB e FMN konfirmojnë shqetësimin tonë publik.

Ato flasin për një borxh në zonën e riskut të lartë. Ne jemi të avancuar në parashikimin tonë se humnera është në horizont, pasi ne jemi në prag të humnerës. Është skandaloze që qeveria ka parashikuar një rritje ekonomike krejt utopike, që të vazhdojë lojën e thellimit të borxhit.

Logjika është që pas nesh u bëftë qameti. Ne duhet të vëmë alarmin fundor në këtë debat. Nesër do jetë shumë vonë dhe kostot e rimëkëmbjes do jenë të papërballueshme,” tha Rama.

“Projekti ynë për heqjen e TVSH-së dhe uljen e saj, e lehtëson barrën e familjeve shqiptare. Ne duhet të këmbëngulim që të dëgjohet zëri i arsyes në hartimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.

Ne kundërshtojmë me forcë nxjerrjen në privatizim të katër hidrocentraleve. Ato kanë prodhuar së bashku 6.7 përqind të energjisë në vitin 2010. Potenciali i tyre mbërrin në 22.5 milion euro.

Kjo pasuri kombëtare po trajtohet një plaçkë ndërkohë që burimet financiare të shtetit po shterrojnë. Privatizuesit e këtyre hidrocentraleve do e nxjerrin shpenzimin e blerjes në 7.8 vjet.”

Kreu i PS deklaroi po ashtu se kandidatura e presidentit për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit është e papranueshme për PS. “Kandidatura e propozuar nuk i përmbushur kriteret e vendosura prej nesh në paktin me 10 pika. Ka një traditë që Kontrollin e Shtetit nuk e merr qeveria.

Ne kemi deklaruar se nuk duam një kryetar KLSH-je nga PS, por kjo kandidaturë nuk përmbush asnjë kusht. Ky është rasti për të vënë në pah vizionin tonë për një shtet shqiptar në shërbim të qytetarëve.”

Në mbyllje të fjalës së tij, Rama kërkoi nga deputetët që të japin propozimet e tyre për kryesinë e PS.