Lajme Shqip Friday, 04 January 2013 17:08

TIRANE- Partia Socialiste ka deklaruar sot se Kolegji Zgjedhor u kthye në rregullshkrues për interes të një partie politike, duke korruptuar veten që në vendimin e parë.

Ne nje deklarate per mediat, deputeti i PS-se, Damian Gjiknuri ka theksuar se me vendimin per ngritjen e ZAZ, Kolegji ka marre nje kompetence qe nuk i takon, ate qe ne fakt e ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kolegji Zgjedhor vendosi dje që numri i Zonave të administrimit zgjedhor, të cilit i korrespondojnë edhe qendrat e numërimit të votave për zgjedhjet e 23 qershorit të jetë 89, nga 66 që kanë qenë më parë. Kolegji pranoi variantin e propozuar nga komisioni qëndror i zgjedhjeve, i cili nuk kishte mundur të merte një vendim duke qenë se nevojitej mbështetja nga 5 prej 7 anëtarëve të tij.

Deklarata për media e Sekretarit për Çështjet Zgjedhore në PS Damian Gjiknuri:

Kolegji Zgjedhor dha një vendim haptazi në kundërshtim me ligjin zgjedhor dhe me parimin kushtetues të  ndarjes së pushteteve. Kolegji Zgjedhor nga arbitër u kthye edhe rregullshkrues, për interes të një partie politike duke e komprometuar veten që në vendimmarrjen e parë për zgjedhjet. Njëanshmëria e vendimmarrjes në favor vetëm të interesave politike të PD,  nuk krijon besim dhe klimë për zgjedhje të ndershme dhe të gjithëpranuara, gjë që po kërkohet nga i gjithë opinioni kombëtar dhe ndërkombëtar.

Ndarja e Zonave të Administrimit Zgjedhor sipas ligjit është një çështje që i takonte KQZ  dhe që nuk ishte në kompetencë të kolegjit. Për më tepër që projekti i parë i administratës së KQZ me 76 ZAZ mori dakortësinë edhe të opozitës. Ishte Partia Demokratike ajo që kërkoi shtyrjen e vendimit përtej çdo afati, pasi kërkoi shtimin e numrit të ZAZ dhe urdhëroi administratën politike të KQZ për t’i shtuar ato përtej çdo numri logjik që siguronte harmoni me kriteret e ligjit.

Shtimi i ZAZ në vetvete edhe sipas variantit KQZ-PD nuk ndikon në fatin e zgjedhjeve dhe nuk përben problem për PS, por natyra e vendimit të kolegjit krijon një precedent të rrezikshëm për besimin e palëve në arbitrin dhe rregullat që kane shkruar vetë. Pasi me vendimin e djeshëm, po tentohet të hidhen në erë të gjitha ato garanci ligjore për vendime kolegjiale që lidhen me përgatitjen e zgjedhjeve, të cilat duhet të gëzojnë besimin e aktorëve politik dhe që shkruhen në KQZ. Kolegji Zgjedhor po vë në rrezik të gjitha standardet  ligjore që ka arritur politika me konsensus  në lidhje me vendimmarrjet e rëndësishme,  duke u kthyer në një komision zgjedhjesh, i kontrolluar nga ekzekutivi.

Kolegji Zgjedhor po vazhdon praktikën e kolegjit të mëparshëm, vendimet e të cilit u konsideruan të dyshimta sipas raportit të ODIHR, duke ndikuar direkt  që zgjedhjet në Shqipëri të konsiderohen jo të mira nga Bashkimi Europian apo e drejta e popullit për të vendosur me votë të vihet në dyshim sipas Departamentit të Shtetit Amerikan. Partia Socialiste do të vazhdojë të këmbëngulë në zbatimin e rregullave të vendosura me ligj dhe nevojës për vendimmarrje kolegjiale në KQZ, pavarësisht nga roli që po kërkon t’i japë kolegji vetes, si komision zgjedhor i gradës më të lartë.

Sali Berisha i zënë nga paniku i humbjes së zgjedhjeve por përdor çdo shantazh politik duke asgjësuar konsensusin në KQZ dhe duke përdorur Kolegjin Zgjedhor si një instrument partiak në shërbim të tij. Veprime të tilla  provokojnë popullin, por votuesit  janë të ndërgjegjshëm për rrezikun që i kërcënohet  zgjedhjeve të lira dhe do të dinë t’i  dalin për zot votës së tyre, pavarësisht rolit që do të luajë drejtësia e kontrolluar nga Berisha.(Panorama/LajmeShqip.com)