Lajme Shqip Tuesday, 16 July 2013 13:33

Tiranë – Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, në një konferencë për shtyp nga ambientet e selisë rozë, tha se Shqipëria është nën thundrën e kriminalitetit.
“Vendi po përjeton një përshkallëzim kriminal të përmasave alarmante, të paparë e dëgjuar ndonjëherë më parë.
Nga dhuna dhe vrasjet në familje, te larja e hesapeve mafioze e deri të rishfaqja e maskave dhe grabitjeve në rrugë, Shqipëria është zhytur nën thundrën e kriminalitetit.
Bëhet fjalë për krime të paralajmëruara, të denoncuara ose krime aq evidente e të hapura, sa Policia e Shtetit duhet ti kishte ditur dhe ti kishte parandaluar përpara se të vinin pasojat fatale, shkruan tema. 
Megjithëse ka një Kryeministër e një Qeveri në detyrë, shteti është lënë si mall pa zot, qytetarët janë braktisur në mëshirë të fatit ndërsa Policia është kthyer në agjenci mortore që numëron viktimat.
Ne jemi të bindur se qytetarët meritojnë një tranzicion paqësor të pushtetit, jo tranzicion të përgjakur të pushtetit, me anarki, vetëgjyqësi, armë të përhapura në masë njëlloj si në vitin 97, e po kështu me vrasje, plagosje, grabitje, banda, dhe larje hesapesh,” vijoi zyrtari i PS.
Tahiri u bëri thirrje punonjësve të policisë që të garantojnë jetën dhe pronën e qytetarëve.
“Ndaj i bëjmë sot thirrje të gjithë punonjësve dhe drejtuesve të ndershëm të Policisë së Shtetit: Ngrihuni në këmbë e bëni detyrën për të garantuar sigurinë publike dhe paprekshmërinë e qytetarëve shqiptarë!
Tregoni se shteti është në këmbë pavarësisht se bien qeveritë! Tregoni se vetë Policia e Shtetit është në këmbë për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve.
I bëjmë thirrje oficerëve dhe punonjësve të përkushtuar të policisë së shtetit: Keni mbështetjen dhe besimin tonë për të bërë gjithçka është në dorën tuaj për të garantuar misionin kryesor: qytetarët shqiptarë kanë të drejtën absolute të jetojnë e të gëzojnë të qetë shëndetin, jetën dhe pronën e tyre dhe ne duhet ta garantojmë pa asnjë kusht.
Pas shtatorit, do fillojë një kapitull i ri, edhe për Policinë e Shtetit. Por deri atëherë, mos braktisni ushtrimin e detyrës duke lënë qytetarët në mëshirë të krimit.
Jepini qytetarëve shqiptar atë që meritojnë, qetësinë publike për të jetuar të lirë nga kërcënimi i krimit. Pas shtatorit, të gjithë bashkë, do rilindim shpirtin, misionin dhe fuqinë e shtetit ligjor, duke rilindur skuadrën e policisë së shtetit.
I bëjmë thirrje dhe atyre pak njerëzve që në këto ditë, e çojnë nëpër mend të shkelin ligjin apo të lajnë hesape kriminale. Ndaluni dhe bëni llogaritë mirë, përndryshe koha që forca e ligjit dhe drejtësisë të bëjë llogaritë me ju, vjen më shpejt se ç’e mendoni!” tha Tahiri.